Me thikë në gjykatë, shoqërohet në polici gruaja në Vlorë

Një grua është ndaluar në ambientet e Gjykatës se Shkallës së Parë Vlorë pasi gjatë kontrollit në hyrje është konstatuar se mbante me vete një thikë.

Sipas burimeve, ajo kishte hyrë në gjykatë për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore, por në momentin që kaloi në skaner, pajisja sinjalizoi praninë e një objekti metalik.

Menjëherë pas sinjalit, gruaja ka tentuar të largohet drejt daljes, por është ndaluar nga punonjësit e sigurisë së gjykatës, të cilët kanë njoftuar policinë.

Pas mbërritjes së efektivëve, gruaja mësohet të ketë kërkuar që ta çonte vetë sendin në makinë, duke pretenduar se për shkak të besimit të saj fetar nuk lejonte që t’i kontrollohej nga punonjës meshkuj.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ende nuk dihen motivet e mbajtjes së thikës brenda ambienteve të gjykatës, ndërsa dyshohet se ajo mund të ishte përdorur gjatë procesit gjyqësor.

Thika, e cila ishte me përmasa të mëdha, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa gruaja u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.