VIDEO/ Neza: Rama ka lëshuar terren ndaj Greqisë për detin, ‘fleksibilitet në dëm të Shqipërisë’
Gazetari Sami Neza ka ngritur shqetësime të forta mbi mënyrën se si Edi Rama ka menaxhuar çështjen e kufirit detar me Greqinë, duke e cilësuar qëndrimin e Tiranës zyrtare si tepër fleksibël dhe potencialisht të dëmshëm për interesat kombëtare.
I ftuar në emisionin ‘Task Force’ të gazetares Sonila Meço në SYRI TV, Neza deklaroi se që prej vitit 2013, qeveria shqiptare ka ndjekur një linjë të zgjatur lëshimesh në raport me Athinën, duke treguar një ‘fleksibilitet të pazakontë’ për një çështje aq të ndjeshme sa kufiri detar.
Sipas tij, ndryshe nga marrëveshjet ekonomike ku mund të ketë tolerancë dhe kompromis, në një çështje sovraniteti kombëtar si kufiri detar, ‘llastiku nuk mund të zgjatet pafund’.
Sipas analizës së tij, një ndër arsyet e zvarritjes lidhet me tensionet e forta detare mes Turqisë dhe Greqisë, sidomos pas vitit 2018, kur çdo marrëveshje Shqipëri-Greqi mund të interpretohej si precedent me ndikim në raportet Athinë-Ankara.
Ai hodhi akuza të forta politike ndaj qeverisë shqiptare, duke pretenduar se Tirana ka qenë tepër e lidhur me interesat e Ankarasë dhe se, në disa raste, ka reflektuar prioritetet e qeverisë turke edhe në çështje që prekin interesin strategjik të Shqipërisë.
‘Ka një histori e cila e bën delikate në fakt marrëdhënien midis Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo është një çështje për të cilën qeveria shqiptare nga 2013-a e deri sot ka pasur një masë shumë të madhe fleksibiliteti.
Zakonisht për çështje të tilla, fleksibilitet mund të bëhet, mund të ketë midis dy vendeve në raste të import-eksportit, domethënë, do heqim akcizën, do reduktojmë akcizën. Por një fleksibilitet kaq i lartë, domethënë një llastik që zgjatet pafund, për një çështje kaq thelbësore siç është çështja e kufirit detar, nuk mund të ketë. Dhe qeveria shqiptare e ka reflektuar fleksibilitetin që nga 2013-a e deri sot.
Dhe fleksibiliteti, domethënë, ose luhatja e parë ndodhi kur ata ranë dakord në parim për të ndërtuar një marrëveshje duke u bazuar tek parimet e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese në 2010-n, dhe ajo u bllokua për të kaluar pastaj tek historia e dërgimit të saj në gjykatë. Po çfarë ka ndodhur brenda kësaj periudhe? Po të kemi parasysh, diku nga 2018-a ka patur një tension shumë të madh kufitar për kufirin detar midis Turqisë edhe Greqisë.
Dhe atëherë diskutohej që nëse Shqipëria do të arrinte përmes një marrëveshje, të arrinte një marrëveshje me Greqinë, ndoshta kjo marrëveshje do të ishte e lexueshme si kundërproduktive për një marrëveshje të ardhshme midis Turqisë dhe Greqisë.
Qeveria e Shqipërisë ka qenë shumë e lidhur me qeverinë turke ato ditë dhe në njëfarë mënyre ia ka bërë të gjitha, si të thuash, ia ka zbatuar të gjitha urdhrat, po ndërkohë edhe ka notuar në interesat e qeverisë turke për këto probleme.
Dhe kjo gjë u shty, u shty dhe më tutje. Po u shty dhe ndodhi pikërisht momenti kur Greqia deklaroi shtrirjen në 12 milje. A e kishte këtë të drejtë Greqia? E kishte këtë të drejtë Greqia të deklaronte shtrirjen në 12 milje për shkak të pakteve ndërkombëtare dhe rregullave ndërkombëtare për detin.
Por në këtë rast Shqipëria duhet të deklaronte dhe mos ta pranonte në heshtje, të deklaronte kundër, sepse ne kishim një proces gjyqësor përpara. Dhe kemi një proces gjyqësor përpara të paktën deri tani.
Sepse nuk ka ndryshuar strategjia, aty jemi. Dhe për sa kohë që ne kemi një proces gjyqësor përpara, ne nuk mund të shkojmë në procesin gjyqësor duke ia lënë të gjitha armët e procesit në dorë palës përballë.
Dhe këtë po të them unë, që fleksibiliteti në këtë çështje është shumë i madh, çfarë e ka turbulluar, mund të turbullojë edhe një vendim të ardhshëm të gjykatës në lidhje me Gjykatën Ndërkombëtare midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Ndërkohë që Greqia nuk ka ndryshuar, përkundrazi, ka avancuar interesat e veta, po ka avancuar edhe në imponim, si të thuash, edhe në ndërtimin e një konteksti i cili mund ta favorizojë atë. Shqipëria nuk e ka bërë këtë gjë’, tha Sami Neza ndër të tjera në SYRI TV.