Pse 'Odiseja' i Christopher Nolan po kthehet në një tjetër betejë kulturore në SHBA

Nga Jon Miltimore – Washington Examiner/

Vjet, kur mësova se Christopher Nolan po përshtaste në film epikën "Odiseja" të Homerit, u emocionova shumë. Është një nga historitë më të mëdha të treguara ndonjëherë, por nuk është sjellë kurrë siç duhet në ekran. Filmi "Uliksi" i vitit 1954 me Kirk Douglas ishte banal i rëndomtë, ndërsa miniseriali televiziv i vitit 1997 me Armand Assante dukej artificial.

Përshtatja e Nolan-it premtonte diçka shumë më madhështore. Ky është regjisori i trilogjisë "Batman", "Inception" dhe "Oppenheimer", ndërsa Matt Damon thuhet se do të ketë rolin kryesor.

Fatkeqësisht, filmi ka nisur të kritikohet që tani për disa zgjedhje reale dhe të imagjinuara të aktorëve. (Thashethemet se Elliot Page do të luante Akilin nuk janë të vërteta.)

Debati nisi pasi raportet konfirmuan se Helena e Trojës, gruaja bukuria e së cilës shkaktoi luftën mes Greqisë dhe Trojës te "Iliada", do të luhet nga Lupita Nyong'o, e cila është me origjinë keniane.

Kritikat erdhën nga drejtime të ndryshme. Disa thanë se Nyong'o nuk ishte mjaftueshëm e bukur për rolin. Të tjerë pretenduan se Nolan po i nënshtrohej kulturës "woke" të diversitetit në Hollivud.

"Asnjë person në planet nuk mendon vërtet se Lupita Nyong'o është 'gruaja më e bukur në botë'", tha Matt Walsh. "Por Christopher Nolan e di se do të quhej racist nëse rolin e 'gruas më të bukur' do t'ia jepte një gruaje të bardhë."

Elon Musk ra dakord me Walsh-in dhe më pas shtoi se Nolan po kërkonte "çmimet". Komentet shkaktuan menjëherë akuza për racizëm. Por ndërsa shumë njerëz nxituan t'i quajnë Walsh dhe Musk racistë, një kontekst më i gjerë ndihmon për të kuptuar debatin.

Së pari, ka arsye për të besuar se raca mund të ketë ndikuar në zgjedhjen e Nolan-it. Filmat që duan të jenë të pranueshëm për Oscar tani duhet të përmbushin "Standardet e Përfaqësimit dhe Përfshirjes" së Akademisë, të cilat hynë në fuqi në vitin 2024. Pra, kur Musk thotë se Nolan po ndjek çmimet, ai i referohet mënyrës si funksionon industria. Për të fituar një statujë Oscar, filmat duhet të jenë mjaftueshëm "të larmishëm".

Së dyti, Nolan ka qenë edhe më parë objekt sulmesh nga aktivistët e ideologjisë së majtë (DEI). Filmi i tij i vitit 2017 "Dunkirk", që tregonte evakuimin e qindra mijëra ushtarëve britanikë, francezë dhe aleatë nga Franca përballë avancimit nazist, u kritikua për "mungesën e fytyrave indiane dhe afrikane". Madje, revista Salon e lidhi filmin me "ringjalljen e nacionalizmit të bardhë", duke e lidhur me dhunën në Charlottesville.

Kritikët e Nolan-it i paraqitën kundërshtimet e tyre si shqetësime për saktësinë historike, duke theksuar se disa trupa në Dunkirk vinin nga territore koloniale si Maroku, Algjeria dhe Tunizia. Por më shumë gjasa ka që mbështetësit e "barazisë" e panë filmin si një mundësi për ta bërë Nolan-in shembull, sepse nuk kishte përmbushur pritshmëritë progresiste për diversitet.

"Një prodhim i madh dhe tërësisht i bardhë si Dunkirk i Nolan-it nuk është rastësi", shkroi Zoe Williams në The Guardian.

Shumica e njerëzve që lexojnë këtë artikull ndoshta nuk kanë dëgjuar kurrë për reagimet kundër "Dunkirk", ose i kanë harruar. Por një person pothuajse me siguri nuk i ka harruar: Christopher Nolan.

Të akuzohesh publikisht për racizëm nuk është diçka e vogël. Më shumë se 20 vite më parë, studiuesi Shelby Steele, autor i "White Guilt", vuri re se shumë europianë dhe amerikanë jetojnë me "frikën nga stigma e racizmit".

Lëvizja moderne DEI shfrytëzoi këtë frikë dhe kjo është pjesë e arsyes pse u bë një forcë kaq e fuqishme dhe problematike.

E djathta ka të drejtë kur kundërshton DEI-n, një sistem joetik dhe shpesh i paligjshëm që vendos identitetin mbi meritën dhe gjykimin artistik. Por duke e luftuar atë, e djathta rrezikon të pasqyrojë të njëjtën politikë identitare që kritikon. Ta quash përzgjedhjen e Nyong'o "gjenocid kulturor" tingëllon shumë ngjashëm me retorikën e periudhës së "Great Awokening", kur aktivistët zemëroheshin për "përvetësim kulturor" sepse gratë e bardha mbanin vathë apo modele flokësh "të gabuara".

Për më tepër, disa kritika janë bërë të shëmtuara. Nuk do të pretendoj se Nyong'o do të ishte zgjedhja ime e parë për Helenën e Trojës, por ajo është pa diskutim e talentuar dhe e bukur. Ta përshkruash si "e zakonshme", "me flokë të çrregullt" apo mashkullore është fyese, ndërsa ta quash Nolan-in "frikacak" për zgjedhjen e saj është budallallëk dhe kundërproduktive.

Nolan dhe Nyong'o nuk i krijuan standardet e diversitetit në Hollivud. Ata janë artistë që përpiqen të bëjnë filma, ndërsa lundrojnë në një industri të politizuar nga fanatikët e diversitetit, të cilët e kanë kthyer uljen e numrit të të bardhëve në Hollivud në një kryqëzatë morale.

Amerika ka një histori të gjatë dhe të ndërlikuar me racën, por një nga pikat e saj të forta është aspirata për t'i trajtuar njerëzit si individë. Skllavëria dhe segregacioni racial u refuzuan përfundimisht sepse binin ndesh me parimin se të gjithë janë krijuar të barabartë dhe meritojnë të trajtohen si të tillë.

Fiksimi i së majtës me identitetin racor na solli DEI-n dhe "Standardet e Përfaqësimit dhe Përfshirjes" të Akademisë. Kjo ideologji duhet të refuzohet, jo të zëvendësohet me një formë tjetër të politikës racore.

DEI i përket koshit të historisë. Por nëse kritikët duan të sigurohen që të përfundojë aty, duhet të përqendrojnë kritikat te vetë ideologjia dhe institucionet që e mbështesin, jo te artistët që përpiqen të mbijetojnë në politikën racore të Hollivudit. /Washington Examiner – Syri.net