Një fluturim i EasyJet devijohet në Romë për shkak të një power bank-u në bagazh
Një fluturim i EasyJet me destinacion Mbretërinë e Bashkuar u devijua drejt Romës pasi u zbulua se një power bank po karikohej në bagazhin e një pasagjeri, duke detyruar kapitenin të ndërhynte si masë parandaluese në përputhje me rregullat e sigurisë.
Fluturimi EZY2618, i nisur nga Hurghada në Egjipt drejt Londrës Luton, u ul në aeroportin Fiumicino në Romë të martën në mbrëmje. Sipas të dhënave nga FlightRadar24, avioni po fluturonte në rreth 36,000 këmbë mbi Detin Adriatik kur, rreth tre orë pas nisjes, bëri një kthesë të papritur majtas dhe u ul rreth 20 minuta më vonë.
Sipas kompanisë, një pasagjer kishte njoftuar ekuipazhin gjatë fluturimit se një power bank ndodhej në pjesën e bagazhit të avionit dhe po karikohej. Edhe pse nuk u raportua ndonjë defekt i vetë pajisjes, situata u trajtua si shkelje e rregullave të sigurisë, pasi bateritë litium-jon mund të mbinxehen ose të marrin flakë.
EasyJet bëri të ditur se vendimi për devijim u mor në përputhje me udhëzimet e prodhuesve dhe rregullat e aviacionit, ndërsa avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe pasagjerët zbritën normalisht. Kompania shtoi se udhëtarëve iu ofrua akomodim në hotel dhe ushqim, ndërsa të tjerëve në aeroport iu siguruan pije dhe ushqime.
Rregullat e EasyJet lejojnë përdorimin e power bank-eve vetëm në bagazhin e kabinës, me kufizim deri në 160 Wh dhe maksimumi dy pajisje për pasagjer, ndërsa ndalohet përdorimi i tyre për karikim gjatë fluturimit. Kompani të tjera ajrore, si Ryanair dhe British Airways, kanë vendosur gjithashtu kufizime të ngjashme për arsye sigurie.
Autoritetet e aviacionit raportojnë se incidentet e lidhura me bateritë litium-jon kanë ardhur në rritje vitet e fundit, përfshirë raste të “thermal runaway”, ku bateritë mbinxehen dhe mund të shkaktojnë zjarr. Për këtë arsye, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) ka vendosur kufizime të reja për power bank-et.
BBC raportoi gjithashtu incidente të mëparshme serioze, përfshirë një rast në Melburn ku një power bank mori flakë në xhepin e një pasagjeri, si dhe një tjetër në Korenë e Jugut ku një bateri portative u dyshua si shkak i një zjarri që dëmtoi një avion pasagjerësh.