Dy raste të reja me Ebola në Ugandë, numri i të prekurve shkon në shtatë

Ministria e Shëndetësisë në Ugandë ka konfirmuar dy raste të reja me virusin Ebola, duke e çuar në shtatë numrin total të personave të infektuar në vend.

Sipas autoriteteve shëndetësore, dy rastet e fundit janë punonjës shëndetësorë në një strukturë private mjekësore në kryeqytetin Kampala. Të dy pacientët janë shtetas të Ugandës dhe aktualisht po trajtohen në një njësi të specializuar për trajtimin e Ebolës.

Në deklaratën zyrtare, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se ekipet e reagimit janë angazhuar në identifikimin dhe gjurmimin e të gjithë personave që kanë pasur kontakt me të infektuarit, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat parandaluese dhe të raportojnë menjëherë çdo simptomë të dyshimtë tek institucionet shëndetësore.