Këto janë vendet më të mira në botë për të jetuar - dhe numri një është në Evropë

 

Ka shumë arsye për t’u zhvendosur jashtë vendit, nga mundësitë për punë dhe bashkimi me partnerin, deri te dëshira për të jetuar në një vend me klimë më të mirë.

Nëse keni nevojë për pak orientim për të vendosur se ku të shkoni, ka lajme të mira, pasi tashmë është publikuar Indeksi i Imigracionit 2026 nga Remitly.

Indeksi vlerëson 82 shtete sipas 34 treguesve, duke përfshirë koston e jetesës për ushqimin, qiranë, kreditë hipotekare dhe fuqinë blerëse, si edhe kulturën, sistemin arsimor, lumturinë, kujdesin shëndetësor, sigurinë dhe pagat.

Në renditjen e këtij viti, Zvicra u pozicionua në vendin e parë, pasi në vitin 2025 kishte qenë e dyta.

“Zvicra dallohet për potencialin e saj të jashtëzakonshëm të të ardhurave, duke u renditur e para në botë në këtë kategori, aksesin e fortë në kujdesin shëndetësor, standardet e larta të sigurisë dhe mundësitë e mëdha për fitim”, shkruan Remitly në raport.

“Tërheqja e Zvicrës shtohet edhe nga një komunitet i konsoliduar emigrantësh dhe infrastruktura e zhvilluar e shërbimeve publike. Rezultatet e larta në treguesit e vlerësuar së fundmi, si oferta e shkollave ndërkombëtare dhe furnizimi me energji, i siguruan Zvicrës vendin e parë.”

Nuk ekziston një zgjidhje e vetme për të gjithë kur bëhet fjalë për zgjedhjen e vendit ku do të jetojnë, por më poshtë janë disa nga shtetet më të vlerësuara në botë.

Shtetet më miqësore për emigrantët në vitin 2026

Pas Zvicrës, Islanda u rendit e dyta, pasi vitin e kaluar kishte mbajtur vendin e parë.

Remitly e vlerësoi shtetin nordik për potencialin e të ardhurave, sigurinë dhe performancën mjedisore, duke theksuar se numri më i ulët i shkollave ndërkombëtare shpjegon rënien në renditje.

“Me politika të forta në mbështetje të familjes dhe një nga popullsitë më të lumtura në botë, Islanda u ofron emigrantëve një cilësi të lartë jetese në një shoqëri të lidhur ngushtë”, shton Remitly.

Vendin e tretë e zuri Luksemburgu, falë potencialit të lartë të të ardhurave, niveleve të larta të sigurisë dhe transportit publik të shkëlqyer, duke e bërë vendin veçanërisht tërheqës për ata që kërkojnë “stabilitet, lëvizshmëri dhe një standard të lartë jetese në zemër të Europës”.

I vetmi shtet jashtë Europës në pesëshen e parë ishte Australia, e cila u rendit e katërta falë “komunitetit mikpritës të emigrantëve, potencialit të fortë të fitimit dhe stilit të jetesës të lidhur me natyrën”.

Pesëshja mbyllet me Gjermaninë, të cilën Remitly e cilësoi si një “zgjedhje të besueshme për emigrantët që kërkojnë mundësi në ekonominë më të madhe të Europës, të mbështetur nga mbrojtje të forta për punëtorët dhe perspektiva afatgjata karriere”.

Vendi është gjithashtu shtëpia e disa prej qyteteve më të përballueshme për blerjen e pronave.

10 shtetet më të mira për t’u zhvendosur:

Zvicra

Islanda

Luksemburgu

Australia

Gjermania

Irlanda

SHBA

Danimarka

Norvegjia

Spanja

Vendet më të mira për familjet

Duke analizuar treguesit miqësorë për familjet, si sistemi arsimor, leja e lindjes për nënat dhe baballarët, kostot vjetore të kujdesit për fëmijët dhe numri i shkollave ndërkombëtare, Spanja u rendit në vendin e parë.

“Me një infrastrukturë të fortë sociale, ky shtet europian vazhdon të spikasë si një destinacion për familjet që kërkojnë të ndërtojnë stabilitet dhe mundësi jashtë vendit”, tha Eva Borislavova, drejtoreshë ekzekutive e Remitly Europe.

“Për shumë njerëz, ky kombinim i aksesit, mbështetjes dhe cilësisë së jetës e bën Spanjën një zgjedhje gjithnjë e më tërheqëse.”

Përveç Spanjës, vetëm tre shtete të tjera europiane arritën të futeshin në 10 vendet e para të kësaj kategorie: Mbretëria e Bashkuar në vendin e tetë, Islanda në të nëntin dhe Kroacia në të dhjetin.

Pjesa tjetër e listës përbëhet nga Kina (e dyta), SHBA (e treta), Sri Lanka (e katërta), Emiratet e Bashkuara Arabe (e pesta), Australia (e gjashta) dhe Bangladeshi (i shtati).

Vendet me balancën më të mirë të kostos së jetesës

Renditja e Remitly analizoi gjithashtu se cilat shtete ofrojnë ekuilibrin më të mirë të kostos së jetesës, duke marrë në konsideratë fuqinë blerëse, kostot e hipotekës si përqindje e të ardhurave, qiranë mesatare krahasuar me pagën dhe koston mesatare të ngrënies jashtë.

Arabia Saudite doli në vendin e parë, falë pagave të larta në raport me koston e jetesës dhe barrës më të ulët të strehimit për pronarët e banesave. (Shënim: Të dhënat janë mbledhur para sulmit SHBA-Izrael ndaj Iranit).

Në Europë, Norvegjia u rendit më lart për balancën e kostos së jetesës, duke zënë vendin e katërt, e ndjekur nga Danimarka në vendin e pestë.

Luksemburgu u rendit i teti, ndërsa Irlanda e nënta.