De la Fuente mbron zgjedhjet e Spanjës: Rikthimi i Gavit është shumë i rëndësishëm
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka folur sot në konferencë për shtypin për zgjedhjet e tij në kombëtare, duke dashur të shuajë menjëherë polemikat rreth mungesës së lojtarëve të Real Madridit në listën për Botërorin 2026.
Tekniku spanjoll theksoi se për të nuk ka rëndësi origjina apo rajoni nga vijnë futbollistët, por vetëm përkushtimi ndaj fanellës së kombëtares. “Nuk shoh nga vijnë lojtarët. Nuk jam mbështetës i rajonalizmit, diçka që ndoshta është më e zakonshme te disa tifozë. Për mua kjo nuk ka rëndësi. Nuk dua t’i jap këshilla askujt, vetëm kërkoj që lojtarët ta ndiejnë përkatësinë ndaj këtyre ngjyrave, ashtu siç po bëjnë tashmë”, deklaroi De la Fuente.
Ai foli edhe për mungesën e dy veteranëve, Dani Carvajal dhe Álvaro Morata, të cilët nuk janë përfshirë në listën e Spanjës për Kupën e Botës 2026. Megjithatë, trajneri siguroi se aventura e tyre me “La Roja” nuk ka përfunduar.
“Karriera e tyre ndërkombëtare nuk ka mbaruar. Do të vijnë kohë më të mira për ta. Ata kanë lënë një trashëgimi të paharrueshme”, u shpreh ai, duke iu referuar edhe hapësirave më të pakta që të dy lojtarët kanë pasur me klubet e tyre gjatë sezonit 2025/26.
Fjalë shumë të ngrohta De la Fuente rezervoi për Gavi-n, i cili është rikthyer në kombëtare pas një dëmtimi të rëndë që e mbajti larg fushave për një kohë të gjatë. Mesfushori i Barcelonës konsiderohet një nga elementët më të rëndësishëm të së ardhmes së Spanjës.
“E dimë sa shumë kemi vuajtur dhe sa shumë kam vuajtur edhe unë personalisht për dëmtimin e rëndë të Gavit. Ai është një djalë që ne të gjithë e duam shumë”, përfundoi trajneri spanjoll.