14 milionë euro për Mourinho-n, Reali duhet të paguajë shtrenjtë për ta larguar nga Benfica
Jose Mourinho mund t’i kushtojë shumë më tepër sesa ishte parashikuar Real Madridit. Situata rreth trajnerit portugez është komplikuar pas konfirmimit të zgjedhjeve presidenciale në klubin madrilen, ku Florentino Perez do të ketë kundërkandidat Enrique Riquelme.
Sipas medieve portugeze, plani fillestar i Real Madridit për të rikthyer Mourinhon në “Santiago Bernabeu” nuk është më i vlefshëm dhe operacioni mund të bëhet shumë më i kushtueshëm.
Në kontratën mes Mourinhos dhe Benfica-s ekziston një klauzolë largimi prej 7 milionë eurosh, por ajo është e vlefshme vetëm për 10 ditë pas ndeshjes së fundit të sezonit, afat që skadon të martën. Kjo do të thotë se Reali nuk do të mund ta aktivizojë më këtë klauzolë për të liruar trajnerin portugez.
Tashmë, sipas “A Bola”, klubi madrilen do të duhet të paguajë rreth 14 milionë euro, që është vlera totale e kontratës së Mourinhos me Benfica-n për sezonin 2026/27. Në marrëveshjen e firmosur në shtator, paga e trajnerit rritet në sezonin e dytë dhe ai përfiton rreth 7 milionë euro neto.
Megjithëse kjo shumë konsiderohet shumë e lartë për klubet portugeze, për Real Madridin nuk shihet si e papërballueshme, sidomos duke pasur parasysh objektivat e mëdhenj të merkatos që po ndjek klubi spanjoll.
Ndërkohë, Mourinho vazhdon të heshtë për të ardhmen e tij, edhe pse raportohet se ai është i vetëdijshëm që situata është komplikuar si me Real Madridin, ashtu edhe me Benfica-n.
Presidenti i Benfica-s, Rui Costa, nuk ka ndërmend t’ia lehtësojë largimin trajnerit portugez dhe, sipas raportimeve, nuk do të pranojë marrëveshje kompromisi. Për më tepër, Mourinho-s i është vendosur në tavolinë edhe një ofertë për rinovimin e kontratës me klubin portugez.