SYRI TV/ Vokshi kërkon dëgjesë me ministrin për negociatat: Qeveria s’ka thënë asgjë për pozicionet negociuese
Partia Demokratike, përmes deputetes Albana Vokshi, ka kërkuar një dëgjesë me ministrin përgjegjës për integrimin, në prag të mbajtjes së konferencës ndërqeveritare, për të marrë informacion mbi pozicionet negociuese. Nga ana tjetër, në mbledhjen e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, deputeti Tritan Shehu shprehu shqetësimin për ekspozimin e fëmijëve në paradën e LGBTQ, duke i kërkuar Ministrisë së Jashtme që t’i tërheqë vëmendjen ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Në prag të mbajtjes së konferencës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, kjo çështje u bë temë diskutimi në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme. Deputetja demokrate Albana Vokshi kërkoi informacion nga qeveria për pozicionet negociuese në këtë pikë, duke ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës nga Këshilli i Ministrave lidhur me ecurinë e negociatave.
Debate ka pasur edhe për ekspozimin e fëmijëve në paradën për mbrojtjen e orientimeve seksuale, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato. Deputeti Tritan Shehu kërkoi nga Ministria e Jashtme që t’i tërheqë vëmendjen ambasadorit të BE-së për ekspozimin e fëmijëve gjatë paradës së komunitetit LGBTQI.
Mbledhja vijoi më pas me dëgjesat me kandidatët për ambasadorë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Egjipt dhe vendet nordike.