SYRI TV/ GJKKO i kthen pas SPAK-ut dosjen e Jonaid Myzyrit, SPAK ka 45 ditë kohë për veprime hetimore shtesë

Gjykata e Posaçme ka kthyer për hetime dosjen e Jonaid Myzyrit, ish-kreut të Prokurimeve Publike, për të cilin SPAK-u kishte kërkuar pushimin e çështjes. Togat e zeza i lanë 45 ditë kohë Prokurorisë së Posaçme për të kryer veprime shtesë hetimore, përfshirë një akt-ekspertimi, ku do të caktohen edhe ekspertët përkatës. Ndërkohë, dy javë më parë, Kryeministri Edi Rama, me argumentin e pushimit të hetimeve ndaj Jonaid Myzyrit, kërkoi që ndaj tij të kishte një ndjesë publike nga institucionet e drejtësisë.

Më 11 maj, Kryeministri Edi Rama, duke marrë në mbrojtje Belinda Ballukun dhe Mirlinda Karçanajn, solli si shembull pikërisht rastin e ish-kreut të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, për të cilin SPAK-u kishte vendosur pushimin e hetimeve.

Por të njëjtin qëndrim me SPAK-un nuk ndan Gjykata e Posaçme, e cila ka kthyer pas dosjen e Jonaid Myzyrit, ish-kreut të Prokurimeve Publike, për të cilin SPAK-u kishte kërkuar pushimin e çështjes. Togat e zeza i lanë 45 ditë kohë Prokurorisë së Posaçme për të kryer veprime shtesë hetimore, përfshirë një akt-ekspertimi, ku do të caktohen edhe ekspertët përkatës.

Ish-kreu i Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, u mor i pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe, pas rreth një viti, prokurori deklaroi se gjatë hetimeve dhe verifikimeve nuk rezulton të ketë kryer vepër penale. Përveç tij, edhe anëtarët e KPP-së, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega, janë marrë të pandehur.

SPAK-u e mori të pandehur Myzyrin në qershor të vitit 2025, në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro, të zhvilluar në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit të vjetër rrugor Rrëshen – Ura e Repsit, me gjatësi totale 59 kilometra.