Reali shtyn prezantimin e Mourinhos, zgjedhjet presidenciale mund të ndryshojnë gjithçka

Jose Mourinho do të duhet të presë ende për rikthimin e shumëpërfolur në pankinën e Real Madridit. Sipas mediave portugeze dhe spanjolle, njoftimi zyrtar për emërimin e trajnerit portugez, i parashikuar për sot, është shtyrë për shkak të zgjedhjeve presidenciale në klubin madrilen.

Florentino Perez, presidenti aktual i Realit, do të ketë përballë kandidatin Enrique Riquelme në garën për drejtimin e klubit dhe, para se të finalizojë marrëveshjen me Mourinhon, duhet fillimisht të sigurojë rizgjedhjen.

Sipas “Record”, në rast se Perez nuk fiton zgjedhjet, rikthimi i “Special One” në krye të “Los Blancos” mund të dështojë plotësisht. Për këtë arsye, situata mbetet e hapur dhe çdo vendim është pezulluar deri në përfundimin e procesit elektoral.

Rezultatet e zgjedhjeve priten më 7 qershor dhe vetëm pas kësaj date mund të ketë zhvillime konkrete për të ardhmen e Mourinhos te Reali.

Trajneri portugez, i cili ka drejtuar më parë klubin madrilen mes viteve 2010 dhe 2013, vazhdon të mbetet një nga kandidatët kryesorë për pankinën e Realit, por tani gjithçka varet nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale.