Julián Álvarez hap derën e largimit: Barça ëndrra, Atlético kërkon 150 milionë euro

Julián Álvarez mund të jetë një nga emrat më të nxehtë të merkatos së ardhshme verore. Sipas raportimeve nga mediet spanjolle, sulmuesi argjentinas ka refuzuar ofertën e rinovimit nga Atlético Madrid, që e çonte pagën e tij deri në 10 milionë euro në sezon, duke sinjalizuar dëshirën për një projekt më të madh sportiv.

Prioriteti i tij i qartë është Barcelona, klub ku ai do të dëshironte të vazhdonte karrierën, edhe pse kjo do të nënkuptonte një rol më pak kryesor në skuadër krahasuar me atë që ka aktualisht tek Atlético. Megjithatë, madrilenët nuk kanë ndërmend të negociojnë lirë.

Sipas “MARCA”-s, klubi madrilen e vlerëson kartonin e sulmuesit rreth 150 milionë euro dhe nuk ka ndërmend të pranojë oferta më të ulëta. Edhe pse kontrata e tij zgjat deri në vitin 2030 dhe përmban një klauzolë shumë të lartë, qëndrimi i lojtarit ka ndezur alarmin në Madrid.

Raportohet se Julián Álvarez kërkon një projekt më ambicioz, me më shumë gjasa për trofe të mëdhenj, edhe nëse kjo do të thotë të sakrifikojë statusin e tij si ‘yll’ kryesor tek Atlético. Në Barcelonë, ai do të ishte pjesë e një projekti të ri ofensiv krah emrave si Lamine Yamal dhe Raphinha.

Megjithatë, në “Metropolitano” situata shihet ndryshe. Klubi këmbëngul se nuk do të lehtësojë largimin e tij, sidomos jo drejt Barcelonës, dhe çdo transferim do të ndodhë vetëm nëse plotësohen kushtet financiare të vendosura.

Në Madrid nuk përjashtohet as skenari që lojtari të mbetet edhe përtej verës, nëse nuk vjen një ofertë që plotëson kërkesat e klubit. Kështu, e ardhmja e Julián Álvarez mbetet e hapur dhe pritet të jetë një nga historitë kryesore të merkatos.