‘Sistemi gjyqësor dhe dështimi i menaxhimit të krizës së backlogut’/ Reagon Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë shpreh shqetësimin e saj të thellë dhe alarmin publik për gjendjen kritike në të cilën ndodhet sot sistemi gjyqësor shqiptar, një situatë që po cenon rëndë funksionimin normal të drejtësisë, sigurinë juridike, aksesin e qytetarëve në gjykatë dhe vetë besimin e publikut te shteti i së drejtës.
Sot, drejtësia shqiptare ndodhet përballë një stoku dramatik dosjesh, proceseve që zgjasin me vite të tëra, mungesës së theksuar të gjyqtarëve, mbingarkesës ekstreme të trupës gjyqësore dhe vonesave që kanë tejkaluar çdo standard të arsyeshëm të një shteti demokratik. Në shumë raste, qytetarët nuk po marrin më drejtësinë në kohë, por po përballen me një sistem që prodhon pasiguri, lodhje ekonomike dhe humbje besimi te institucionet.
Më shqetësues bëhet fakti se, pasi sistemi është lënë prej vitesh të shkojë drejt degradimit dhe kolapsit funksional, tashmë po kërkohen ekspertë të huaj për të orientuar institucionet shqiptare mbi mënyrën e menaxhimit të backlogut gjyqësor. Ky zhvillim është një pranim i heshtur, por i qartë, i dështimit institucional për të administruar krizën në kohë dhe me përgjegjësi.
Në çdo shtet normal, institucionet përgjegjëse për drejtësinë kanë detyrimin:
të parashikojnë krizën,
të ndërhyjnë në kohë,
të krijojnë politika parandaluese,
dhe të mbajnë përgjegjësi për rezultatet.
Fatkeqësisht, në Shqipëri ndodhi e kundërta.
Në qendër të këtij dështimi institucional qëndron institucioni kushtetues që ka përgjegjësinë kryesore për administrimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor. Sot është e pamundur të flitet për krizën e drejtësisë pa evidentuar paaftësinë e KLGJ-së për të menaxhuar situatën e krijuar ndër vite.
Prej kohësh ishte e qartë se: vakancat e krijuara nga Vettingu do të sillnin pasoja serioze, numri i gjyqtarëve do të binte ndjeshëm, ngarkesa në gjykata do të shumëfishohej dhe sistemi do të hynte në bllokim progresiv.
Në vend të masave konkrete për rritjen e kapaciteteve të sistemit, sot po diskutohen zgjidhje që godasin qytetarin dhe jo problemin real. Ndër to, më skandalozja mbetet ideja për rritjen e tarifave gjyqësore me qëllim reduktimin e numrit të padive.
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë e konsideron këtë qasje të papranueshme dhe të rrezikshme për shtetin e së drejtës. Problemi i drejtësisë shqiptare nuk është se qytetarët po kërkojnë “shumë drejtësi”, por se sistemi nuk po arrin të administrojë në mënyrë normale të drejtën kushtetuese të qytetarëve për gjykim.
Tarifat më të larta nuk do të zhdukin padrejtësitë. Ato thjesht do të pengojnë qytetarët me mundësi ekonomike të kufizuara të kërkojnë mbrojtje ligjore. Kjo krijon një drejtësi me dy standarde: për ata që kanë mundësi financiare dhe për ata që nuk kanë.
Njëkohësisht, përgjegjësi të rëndësishme mban edhe Ministria e Drejtësisë si institucioni përgjegjës për hartimin dhe orientimin e politikave të drejtësisë në vend. Politikat e ndjekura ndër vite rezultojnë të pamjaftueshme për të parandaluar krizën aktuale. Mungesa e një vizioni afatgjatë, mungesa e ndërhyrjeve të shpejta dhe mungesa e koordinimit efektiv institucional kanë kontribuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës.
Në këtë kontekst, një nga faktorët që ka rënduar ndjeshëm krizën e aksesit në drejtësi dhe ka thelluar ngarkesën e sistemit është edhe mënyra se si u konceptua dhe u zbatua harta e re gjyqësore.
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë ka qenë ndër zërat që ka paralajmëruar që në fillim se mënyra e zbatimit të hartës gjyqësore do të sillte pasoja serioze për qytetarët, avokatët dhe vetë funksionimin e drejtësisë.
Sot është e qartë se harta gjyqësore nuk e zgjidhi problemin e backlogut. Përkundrazi, në shumë raste ajo kontribuoi në thellimin e tij. Centralizimi i tepërt i proceseve gjyqësore solli vonesa më të mëdha, ngarkesë më të rëndë për gjyqtarët dhe kosto më të larta për qytetarët.
Është paradoksale që, ndërsa sistemi ndodhet në një krizë të thellë funksionale, ende mungon një reflektim serioz institucional mbi pasojat që solli harta gjyqësore dhe mbi nevojën për rishikimin e saj.
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë vlerëson se dalja nga kjo krizë nuk mund të vijë përmes kufizimit të qytetarëve apo rritjes së barrës financiare mbi ta. Zgjidhja kërkon:
forcim të administratës gjyqësore;
investime reale në teknologji dhe infrastrukturë;
menaxhim eficient të çështjeve;
transparencë institucionale;
dhe rishikim serioz të hartës gjyqësore mbi bazën e interesit publik dhe aksesit real në drejtësi.
Drejtësia nuk mund të matet me numrin e çështjeve që pengohen të hyjnë në sistem. Një shtet serioz matet me aftësinë për t’u dhënë qytetarëve drejtësinë në kohë, me standarde dhe pa barriera ekonomike apo gjeografike.
Sot problemi më i madh nuk është vetëm stoku i dosjeve. Problemi më i madh është humbja progresive e besimit të qytetarëve se institucionet që administrojnë sistemin kanë aftësinë për ta nxjerrë drejtësinë shqiptare nga kjo gjendje.
DHOMA VENDORE E AVOKATISË VLORË