Presidenti i Libanit: Tërheqja e ushtrisë izraelite 'nuk është e negociueshme'

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, deklaroi se kërkesa për tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga jugu i Libanit “nuk është e negociueshme”, ndërsa pritet rifillimi i bisedimeve mes dy vendeve në Uashington gjatë kësaj jave.

Në një deklaratë për përvjetorin e largimit të trupave izraelite nga jugu i Libanit në vitin 2000, Aoun tha se sulmet izraelite vazhdojnë dhe se fshatrat në jug të vendit po vuajnë nga “një pushtim i ri”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi arabofon i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, deklaroi se ushtria izraelite po vepron kundër Hezbollahut për shkak të “shkeljeve të marrëveshjes së armëpushimit”. Ai përmendi disa fshatra në rajonin e Nabatieh, ku sipas tij po zhvillohen operacione ushtarake.

Presidenti libanez theksoi se negociatat me Izraelin “nuk do të jenë dorëzim dhe nuk do të përfshijnë lëshime”.

“Rruga drejt tërheqjes së plotë izraelite mbetet një kërkesë kombëtare e panegociueshme”, deklaroi Aoun, duke shtuar se “çlirimi i jugut është detyrë e shtetit”.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Hezbollahut, Naim Qassem, përsëriti kundërshtimin e organizatës ndaj negociatave mes Libanit dhe Izraelit, duke deklaruar se Hezbollahu nuk do të çarmatoset.

Autoritetet libaneze kanë ndaluar aktivitetet ushtarake të Hezbollahut pas përfshirjes së vendit në konfliktin në Lindjen e Mesme, por organizata vazhdon përplasjet me ushtrinë izraelite në jug të Libanit dhe herë pas here sulmon veriun e Izraelit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dënoi deklaratat e Qassemit, duke e akuzuar se po kërkon destabilizimin e qeverisë libaneze dhe rikthimin e vendit në kaos.

Libani dhe Izraeli, të cilët nuk kanë marrëdhënie diplomatike, nisën negociatat në prill nën ndërmjetësimin e SHBA-së.

Një raund i ri bisedimesh pritet të zhvillohet në Uashington më 2 dhe 3 qershor, ndërsa më 29 maj do të mbahet një takim mes delegacioneve ushtarake të dy vendeve në Pentagon.