Capello, pa mëshirë për Milanin: Pa forcë, pa vullnet, pa ide. Duartrokitje për Gasperinin
Milani ka mbetur jashtë Champions League. Humbja e mbrëmshme ndaj Cagliarit ka përjashtuar kuqezinjtë nga gara, duke e mbyllur një sezon të dështuar dhe zhgënjyes. Në analizën e tij në “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello ka kritikuar ashpër paraqitjen e skuadrës së Massimiliano Allegrit.
“Kam parë një skuadër pa forcë, pa vullnet dhe pa ide. Siç ka ndodhur për pjesën më të madhe të fazës së dytë të sezonit. Dhe duhet thënë se kundër Cagliarit kanë qenë edhe me fat që ndeshja përfundoi vetëm 1-2”, ka deklaruar Capello.
Sipas tij, Milani ka nevojë për një revolucion, por vetëm nëse ky ndryshim bazohet në ide të qarta. “Nëse nuk ka ide në themel, nuk ka kuptim të bësh revolucion”, shtoi ai.
Duke folur për Juventusin, Capello theksoi se edhe në Torino situata kërkon një analizë të thellë: “Edhe aty duhet një mbledhje serioze, sepse janë shpenzuar shumë para dhe rezultatet nuk janë parë”.
Ish-trajneri italian nuk kurseu vlerësimet për Gian Piero Gasperinin, për të cilin tha: “E përgëzoj Gasperinin, sepse e di sa e vështirë është të kesh sukses në një ambient si Roma: i mrekullueshëm nga njëra anë, por edhe shumë i lodhshëm nga ana tjetër”.
Në fund, Capello komentoi edhe surprizën e sezonit, Como: “Për mua është një konfirmim i asaj që ka treguar gjatë gjithë kampionatit. Kur mundi Juventusin, thashë se kushdo që synon Champions-in duhet të llogarisë edhe Comon e Fabregasit”.