Pica ‘Made in Italy’ nga Shqipëria në Itali/ ‘Guardia di Finanza’ godet rrjetin e falsifikatorëve

Rreth 5 mijë pica dhe pinse të parapërgatitura, të paraqitura si “Made in Italy”, janë sekuestruar nga Guardia di Finanza në portin e Barletës. Dy persona janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Tranit, të dyshuar për futjen në territorin italian të produkteve ushqimore me emërtime dhe tregues të origjinës së falsifikuar. Të dy të hetuarit janë një shofer kamioni dhe marrësi i mallit, i cili përbëhej kryesisht nga produkte furre si pica dhe pinse.

Gjatë kontrollit të kamionit që kishte mbërritur nga Shqipëria, autoritetet gjetën rreth 5 mijë produkte të parapërgatitura, të ambalazhuara me paketime që përmbanin imazhe, mbishkrime dhe simbole të cilat, sipas hetuesve, mund të krijonin përshtypjen se produktet ishin me origjinë italiane. Kjo, sipas njoftimit zyrtar, mund të mashtronte konsumatorin duke e bërë të besonte se bëhej fjalë për produkte autentike “Made in Italy”.

Dyshimet e Guardia di Finanza u konfirmuan edhe nga verifikimi i dokumentacionit, i cili mundësoi identifikimin e marrësve të mallrave. Hetime dhe kontrolle janë kryer gjithashtu në provincat e Napolit, Milanos dhe Reggio Calabria, ku janë zbuluar produkte të së njëjtës natyrë dhe me ambalazhe që mbanin shenja të falsifikuara të “Made in Italy”.

Prokuroria e Tranit ka vendosur që produktet ushqimore të sekuestruara të dhurohen për bamirësi, në favor të Caritas-it të Barletës, Andrias dhe Tranit, për t’u shpërndarë tek familjet në nevojë në zonë./ Lagazzettadelmezzogiorno