Milani në kaos edhe në merkato, rrezikohen Modric dhe Goretzka

Dështimi për t’u kualifikuar në Champions League po sjell pasoja të mëdha te Milani, jo vetëm në aspektin sportiv dhe financiar, por edhe në merkato. Projekti kuqezi është futur në një periudhë pasigurie totale dhe shumë nga objektivat kryesorë për sezonin e ardhshëm tashmë janë vënë seriozisht në dyshim.

Sipas medieve italiane, mungesa në kompeticionin më të rëndësishëm europian mund të komplikojë ndjeshëm negociatat për rinovimin e Luka Modric-it dhe nënshkrimin me Leon Goretzka-n. Të dy mesfushorët lidhen ngushtë me të ardhmen e Massimiliano Allegrit, i cili duket pranë largimit nga stoli i Milanit.

Modric kishte dhënë sinjale pozitive për rinovimin edhe për një sezon tjetër me kuqezinjtë, pasi ishte ambientuar mirë në Milano. Megjithatë, largimi i mundshëm i Allegrit dhe mungesa e Champions League mund ta shtyjnë kroatin të rishikojë vendimin e tij.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe për Leon Goretzka-n. Drejtuesit kuqezi kishin nisur kontakte prej ditësh me përfaqësuesit e mesfushorit gjerman dhe besohej se lojtari ishte bindur nga projekti i Milanit. Por gjithçka ndryshon pa Champions League, pasi futbollistë të këtij niveli kërkojnë të luajnë në skenën më të madhe europiane dhe jo vetëm në Europa League.

Mungesa në Champions do t’i kushtojë Milanit rreth 70 milionë euro të ardhura të humbura, çka pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në strategjinë e merkatos. Edhe pse klubi mund të sigurojë fonde nga shitjet e lojtarëve dhe rikthimet nga huazimet, bindja e emrave të mëdhenj për t’iu bashkuar projektit kuqezi do të jetë shumë më e vështirë.

Në sulm pritet një revolucion i vërtetë. Fullkrug nuk do të blihet përfundimisht, ndërsa edhe e ardhmja e Gimenez dhe Nkunku mbetet në dyshim. Milani po kërkon një sulmues të nivelit të lartë dhe emra si Vlahovic, Sorloth, Mateta apo Gabriel Jesus janë përmendur në javët e fundit, por ndryshimet e pritshme në drejtim dhe në pankinë mund të ndryshojnë krejtësisht planet.

Edhe lojtarë të rëndësishëm si Mike Maignan mund të largohen nëse situata sportive nuk përmirësohet. Sipas raportimeve, kriza aktuale nuk do të ketë pasoja vetëm për sezonin e ardhshëm, por mund të ndikojë edhe në dy ose tri vitet në vazhdim.

Milani rrezikon kështu të hyjë në një fazë rindërtimi total, si në drejtim ashtu edhe në skuadër.