'Berisha e ringriti PD-në pas sulmeve dhe izolimit'/ Avokatja: Çdo parti ka të drejtë të zgjedhë vetë liderin e saj

Avokatja Juli Emiri, nga studioja e “Kafe Shqeto”, ka komentuar debatin e vazhdueshëm mbi zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar absurd fokusimin e madh mediatik dhe politik mbi mënyrën se si opozita zgjedh drejtuesin e saj.

Sipas saj, Partia Demokratike është një organizim politik që ka të drejtën të vendosë vetë për liderin dhe mënyrën e zgjedhjes së tij, ndërsa sulmet e vazhdueshme ndaj këtij procesi i konsideroi të strukturuara dhe të padrejta.

Emiri u shpreh se shumë njerëz kanë harruar mënyrën se si nisi kriza në PD, duke kujtuar përpjekjet për përjashtimin e Sali Berishës dhe dobësimin e opozitës.  Ajo theksoi se ishte pikërisht Berisha ai që riktheu Partinë Demokratike dhe i dha sërish forcë opozitës në vend.

Në këtë kontekst, avokatja kritikoi edhe mënyrën se si media ka trajtuar për vite me radhë zhvillimet në PD, duke shtuar se shumë prej narrativave të dikurshme ranë poshtë edhe nga vendimet e institucioneve si Gjykata Kushtetuese.

Deklarata e plotë:

“Dua të flas mbi absurditetin, e di që ju mendoni që unë do të flas për zgjedhjet, por unë dua të flas mbi absurditetin e të marrurit me zgjedhjet e një partie.

Domethënë janë harxhuar kaq shumë orë e ditë, e muaj e vite duke u marrë me çështjet e brendshme të një partie, siç janë zgjedhjet, që unë s'kam pse të kem opinion fare.

Ajo është një parti, është një grupim njerëzish që kanë një bindje të përbashkët, i bashkon bindja dhe shumë gjëra të tjera, udhëtimi i tyre i përbashkët, të cilët zgjedhin liderin e tyre.

 Se si e zgjedhin ata, me votë apo pa votë, është puna e tyre e brendshme. Nuk e kuptoj se ç'punë kanë njerëzit e jashtëm të japin një opinion mbi këtë gjë.

Opinion mund të japin, por të bëjnë sulme të strukturuara me vite se si duhet të zgjidhet lideri i një partie, kur ajo parti ka treguar që e do atë lider. Për mua ky është opinioni im.

Ajo parti ka treguar që e do atë lider. E dyta, dua ta sjell në kujtesë sepse e di që është harruar nga shumë njerëz me të cilët bashkëbisedojmë në përditshmëri, se si ka filluar e gjithë historia e Partisë Demokratike dhe rikthimit të liderit, zotit Berisha.

Po, donin ta përjashtonin edhe si deputet, megjithëse ai i kishte votat, sepse kështu donin këta. Domethënë ka filluar me një absurditet kjo histori, ka filluar me një sulm për zhdukjen e Partisë Demokratike. Dhe kjo nuk duhet harruar, sepse shumë njerëz e kanë harruar dhe thonë 'e po nuk ka Berisha', madje thonë edhe 'ka 30 vjet në pushtet'.

Jo mor jo, ka qenë një 8-vjeçar që ka qenë Basha në pushtet, nuk ka qenë Berisha. Dhe kjo nuk duhet harruar se si rrodhi dhe ishte Berisha ai që e shpëtoi Partinë Demokratike dhe opozitën. Dhe me opozitën, për një mendim racional, ka shpëtuar Shqipërinë, sepse Shqipëria pa opozitë do mbetej në diktaturë dhe monizëm siç tentojnë ta çojnë përditë.

Dhe ai e ka sjellë partinë deri këtu, dhe mos të harrojmë ku ishin para 4 vjetësh, që thonin të gjithë këta që sot sulmojnë zgjedhjet, thonin jo po vula, jo po ballkoni, jo po njëra pas tjetrës, non-grata të gjitha dhe ku janë sot, ku është sot Partia Demokratike dhe ku ishte para 4 vjetësh me gjithë sulmet e tyre.  

Mediat duhet t'i rikthehen pak atyre videove të vjetra ku komentonin për gjërat të cilat Gjykata Kushtetuese për shembull dha të drejtë për ballkonin e zotit Berisha, për protestën".