'Asnjë kandidat nuk konkurronte realisht me Berishën', Starova: PD u ringrit falë tij pas krizës së brendshme
Arjan Starova, Kryetar i “Bashkimi Liberal Demokrat”, i ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Kafe Shqeto”, tha se zgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike përmes një forme referendare ishte një vendim i drejtë dhe në përputhje me realitetin politik brenda partisë. Sipas Starovës, Berisha mbetet figura më e fortë politike në PD, jo vetëm për shkak të përvojës dhe lidhjeve ndërkombëtare, por edhe për qëndresën që ka treguar në momentet më të vështira për demokratët.
Ai kujtoi se disa vite më parë Partia Demokratike ndodhej në një situatë shumë të rëndë politike, që e cilësoi si “reanimacion”, sidomos pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar.
Sipas Starovës, ishte pikërisht Berisha ai që nisi procesin e ringritjes së partisë dhe rikthimit të saj në një forcë të fuqishme opozitare.
Starova u shpreh gjithashtu se kandidatët e tjerë të përfolur nuk mund të konkurronin realisht me Berishën, duke shtuar se një garë formale do të ishte “naive” dhe pa kuptim politik.
Ai solli në vëmendje edhe raste të mëparshme në partitë kundërshtare, ku janë vendosur kandidatë vetëm për numër, ndërsa vlerësoi Partinë Demokratike për atë që e quajti “integritet moral” në mënyrën e organizimit të procesit.
Deklarata e plotë:
"Me shumë siguri domosdoshmëria rridhte nga statuti. Mënyra se si u bë në formë referendare është diçka e njohur, është praktikë e njohur, aq më shumë që Partia Demokratike ishte në rrethanat kur nuk ka një figurë me atë përvojë, me ato lidhje ndërkombëtare dhe me atë qëndresë të fuqishme siç ka pasur Berisha si udhëheqës.
Jo se pjesëtarët e tjerë, ata që e mbështesin dhe shumë të tjerë, nuk kanë shfaqur qëndresë, por Berisha është shquar. Mos të harrojmë që në një kohë kur Partia Demokratike ishte shumë e dobët, pra këtu e katër vjet përpara, kur ai u përjashtua nga grupi parlamentar, kur partia ishte thuajse në 'reanimacion' , ishte Berisha ai që nisi atë përpjekje për ringritjen e Partisë Demokratike dhe ja ku jemi.
Ajo është ngritur e fuqishme si kurrë më parë. Natyrisht që ka shumë pengesa ende përpara, por në këtë kuptim Berisha ishte një figurë që në qoftë se natyrisht statuti dhe partia kanë kritere të caktuara për kandidaturat, nuk i di konkretisht ato, por di të them këtë gjë që Berisha ka distancë nga ato cilësi me shumë konkurrentë apo kandidatë të tjerë.
Pa përmendur ato emra që dolën, unë nuk kam mendimin se ata mund të konkurronin dhe mund të fitonin përballë Berishës dhe do të ishte një proces farsë.
Ne e kemi parë tek partia konkurrente, për të mos thënë kundërshtare, Partia Socialiste, në të kaluarën që ka vënë figura thjesht për numër.
Berisha vetë dhe Partia Demokratike ka treguar integritet moral shumë të rëndësishëm, i është referuar përvojave ndërkombëtare dhe ka thënë: përderisa një konkurrencë e tillë do të ishte, po themi, naive, qesharake, pa kuptim, atëherë le ta bëjmë në mënyrë referendare dhe ishte një zgjedhje shumë e mirë për mua".