Como shkruan historinë, skuadra e 16-të italiane që luan në Champions
Como ka shkruar një faqe historike në futbollin italian, duke siguruar për herë të parë në histori pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fàbregas realizoi një sezon fantastik në Serie A dhe tashmë do të jetë pjesë e elitës së futbollit europian.
Kjo arritje nuk ka rëndësi vetëm për klubin nga Lombardia, por edhe për historinë e futbollit italian. Como bëhet skuadra e 16-të italiane që merr pjesë në Kupën e Kampioneve ose Ligën e Kampioneve. Nëse llogaritet edhe Chievo, që në sezonin 2006-07 u eliminua në turin paraprak nga Levski Sofia, atëherë numri shkon në 17 skuadra.
Lista e skuadrave italiane që kanë luajtur në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube përfshin emra të mëdhenj si Milani, Juventusi, Interi, Roma, Lazio, Napoli dhe Fiorentina.
Në këtë listë bëjnë pjesë edhe Atalanta, Bologna, Cagliari, Torino, Verona, Sampdoria, Parma dhe Udinese.
Për Comon dhe tifozët e saj, ky kualifikim përfaqëson kulmin e një projekti ambicioz që tashmë ka tërhequr vëmendjen e gjithë Europës.