Përplasja e dhunshme mes tifozëve, një fans bardhezi rëndë, shtyhet derbi Torino-Juventus

Torino dhe Juventusi janë përfshirë në një atmosferë të rënduar para derbit të madh të qytetit, pasi jashtë stadiumit “Olimpico Grande Torino” kanë shpërthyer përplasje të forta mes tifozëve dhe forcave të rendit.

Sipas raportimeve nga mediet italiane, në zonën pranë sektorit të tifozëve mysafirë ka pasur hedhje sendesh të forta si shishe dhe gurë drejt policisë, e cila është përgjigjur me gaz lotsjellës për të rikthyer qetësinë. Disa persona janë shoqëruar nga autoritetet, ndërsa situata ka dalë jashtë kontrollit për disa momente.

Në këto përplasje është plagosur rëndë një tifoz 45-vjeçar i Juventusit, i cili është transportuar me urgjencë në spital me traumë në kokë. Gjendja e tij raportohet serioze, por jashtë rrezikut për jetën.

Si pasojë e tensioneve, një pjesë e tifozëve bardhezi nuk ka hyrë në stadium, duke protestuar ndaj mënyrës së ndërhyrjes së policisë. Situata ka shkuar më tej kur ultrasit kanë kërkuar që ndeshja të mos zhvillohet, duke thirrur edhe kapitenin Manuel Locatelli për të përcjellë kërkesën e tyre te skuadra.

Në stadium, drejtuesit dhe përfaqësuesit e klubit kanë shprehur shqetësim të madh për situatën, ndërsa është konfirmuar se ndeshja do të luhet (nis në orën 20:45), pavarësisht tensioneve jashtë dhe brenda impiantit.

Ndërkohë, ekipet nuk kanë dalë ende në fushë në orarin e parashikuar, ndërsa atmosfera mbetet e rënduar dhe me pasiguri për rrjedhën e mëtejshme të ngjarjeve në mbrëmjen e derbit torinez.