Sunderland-i i Xhakës trondit Chelsea-n, siguron Europën pas 50 vjetësh mungesë

Sunderland-i ka shkruar historinë duke siguruar pjesëmarrjen në kompeticionet europiane për herë të parë që nga viti 1973, pas fitores 2-1 ndaj Chelsea-t në ndeshjen vendimtare të sezonit në Premier League.

Me këtë sukses, “Black Cats” përfundojnë sezonin në vendin e shtatë dhe sigurojnë një biletë për në UEFA Europa League, duke u bërë gjithashtu një nga rastet e rralla të skuadrave të sapongjitura që arrijnë menjëherë kualifikimin në Evropë.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me Chelsea që provoi të rrezikojë përmes Cole Palmer dhe Enzo Le Fée, por Sunderland mori shpejt kontrollin e lojës dhe filloi të ushtrojë presion të vazhdueshëm.

Avantazhi erdhi në minutën e 25-të, kur Trai Hume shënoi me një goditje të saktë brenda zonës, duke kaluar vendasit në epërsi.

Në pjesën e dytë, Sunderland-i dyfishoi shifrat në mënyrë fatlume, pasi një aksion i Brian Brobbey përfundoi me autogol të Malo Gusto-s. Chelsea reagoi shpejt dhe ngushtoi diferencën me golin e Palmer-it, i cili ndali një seri prej 14 ndeshjesh pa shënuar.

Megjithatë, momenti vendimtar erdhi kur Wesley Fofana u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të gabuar, duke e lënë Chelsea-n me 10 lojtarë dhe duke e vështirësuar çdo përmbysje të mundshme.

Sunderland-i rezistoi deri në fund dhe siguroi një fitore historike, duke mbyllur një sezon të jashtëzakonshëm në elitën e futbollit anglez. Në krahun tjetër, Chelsea përfundon në vendin e 10-të, duke mbetur jashtë kompeticioneve europiane dhe duke mbyllur një sezon zhgënjyes.