Napoli mbyll sezonin me fitore ndaj Udineses, Hojlund vendos ndeshjen në ditën e lamtumirës së Conte-s

Napoli ka mbyllur sezonin në Serie A me një fitore minimale 1-0 ndaj Udineses në stadiumin “Diego Armando Maradona”, në një mbrëmje të mbushur me emocione dhe lamtumira.

Ndeshja shënoi gjithashtu fundin e aventurës dyvjeçare të Antonio Conte-s në krye të Napolit, i cili u përshëndet me duartrokitje të gjata nga tifozët pas një periudhe të suksesshme, ku fitoi titullin kampion dhe riktheu ekipin në majë.

Takimi nisi me ritëm të lartë për vendasit, ku që në minutat e para Alisson Santos rrezikoi portën e Udineses, por portieri Okoye reagoi mirë. Megjithatë, Napoli u godit shpejt nga dëmtimet, pasi Santos dhe më pas Stanislav Lobotka u detyruan të linin fushën.

Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 24-të, kur Rasmus Højlund përfitoi nga një asist perfekt i Kevin De Bruyne dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë Napolit avantazhin që do të rezultonte vendimtar.

Në pjesën e dytë, Udinese mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Kabasele, pas ndërhyrjes së VAR-it. Pavarësisht inferioritetit numerik, miqtë tentuan të reagonin, ndërsa Napoli kishte mundësi të mbyllte ndeshjen me McTominay, i cili humbi një rast të pastër për golin e dytë.

Në fund, Napoli ruajti epërsinë dhe siguroi tri pikë të rëndësishme, duke e mbyllur sezonin në vendin e dytë me 76 pikë. Ndërkohë, Udinese e përfundon kampionatin në Top 10 me 50 pikë, duke konfirmuar një sezon solid në elitën e futbollit italian.