SYRI TV/ Laboratorë ‘copy-paste’, i njëjti mjek firmos analiza në disa pika
Në Shqipëri numri i mjekëve të licencuar për laboratorë, nuk mund të mbulojë numrin e madh të laboratorëve klinikë që operojnë në vendin tonë, ku përllogaritet të jetë 1 mjek për afro 9 laboratorë. Piranjat kanë kryer një investigim ku del në pah se për të mbuluar këtë mangësi, teknikët e laboratorit po marrin përsipër rolin e mjekëve, që në fakt janë personat përgjegjës për nxjerrjen, interpretimin dhe firmosjen e rezultateve.
SYRI TV
Sipas Qendrës Kombëtare të Licensimit, në Shqipëri operojnë rreth 957 laboratorë klinikë, ndërsa sipas Urdhrit të Mjekut, rezultojnë të licensuar vetëm 106 mjekë laboratori. Pra, një mjek për afro 9 laboratorë. Për të mbuluar këtë mangësi, teknikët e laboratorit po marrin përsipër rolin e mjekëve, që në fakt janë personat përgjegjës për nxjerrjen, interpretimin dhe firmosjen e rezultateve.
Piranjat kanë kryer një investigim, ku pasi dërguan analizat në një laborator dhe morën përgjigjen përmes telefonit, kërkuan të takojnë fizikisht mjekun për interpretimine rezultateve, por nuk e gjetën.
Më datë 1 Maj 2026 u dërguan dy mostra biologjike në dy laboratorë të ndryshëm, në dy zona të ndryshme të Tiranës, shumë larg njëra-tjetrës dhe thuajse në të njëjtin orar. Në përgjigje rezulton se analizat ishin firmosur nga e njëjta mjeke, e cila është e pamundur të ketë qenë fizikisht tek të dyja në të njëjtin orar me një distancë të konsiderueshme. Për këtë, kërkuan një sqarim direkt në laboratorët përkatës.
Një mjeke laboratori e cila po bën një përdorim formal të liçensës. Por përsa kohë që nga Ministria e Shëndetësisë janë lejuar të hapen laboratorë në disproporcion të plotë me numrin e mjekëve, kjo mjeke dhe 105 kolegët e saj mund të jenë në 9 e më shumë vende njëkohësisht.
Skandali bëhet edhe më i madh kur kupton se njerëzit që votojnë ligjet në Parlament, janë njëkohësisht edhe pronarë të këtij biznesi gjigant, që funksionon me mangësi dhe parregullsi të përsëritura, siç është rasti i deputetit Vasil Llajo, i cili është pronari i Intermedica, rrjeti më i madh laboratorik në vend, me të paktën 20 pika në të gjithë Shqipërinë. Zoti Llajo, i cili është edhe vetë mjek, nuk jep një përgjigje konkrete për problemin, duke ia kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Shëndetësisë.
Po cili është problemi real në këtë vëzhgim të bërë? Numri tepër i lartë i laboratorëve, apo mungesa e mjekëve laboratorikë? Për këto, përgjigjet duhet t’i japë Ministria e Shëndetësisë.