Bankat/ Ekspertja: Paraja dixhitale do të vijë si një mjet plotësues i parasë fizike dhe jo si një zëvendësuese e saj

Bota financiare po kalon një revolucion të heshtur që rrezikon të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me paranë. Dhjetëra banka qendrore në mbarë globin, përfshirë ato në Frankfurt, Uashington, Londër dhe Kinë, po përgatiten për emetimin e monedhave dixhitale shtetërore. Ky proces ka ngjallur frikë dhe skepticizëm të madh te qytetarët, të cilët i druhen krijimit të një shoqërie distopike të kontrolluar nga një 'Big Brother' financiar, i cili mund të gjurmojë çdo lëvizje monetare nga individët deri te shtetet.

Megjithatë, ekspertja e sistemit financiar, Anjeza Beja, e ftuar në emisionin “Syri i Botës” me Dori Dakën në Syri tv, sqaron se monedhat dixhitale të bankave qendrore nuk duhen ngatërruar me kriptomonedhat e njohura si Bitcoin. Ato janë thjesht një formë dixhitale e monedhës kombëtare, me të njëjtin kurs ligjor si paratë fizike dhe përbëjnë një detyrim të drejtpërdrejtë në bilancin e bankës qendrore. Këto monedha planifikohet të emetohen në dy forma kryesore: një variant me pakicë për përdorim të gjerë nga popullata përmes subjekteve financiare, dhe një variant me shumicë për përdorim të kufizuar vetëm mes institucioneve bankare.

Pavarësisht panikut për zhdukjen përfundimtare të parave të gatshme, duket se qëllimi primar i institucioneve nuk është eliminimi i tyre. Sipas strategjisë së Bashkimit Europian, euroja dixhitale do të vijë si një mjet plotësues i parasë fizike dhe jo si një zëvendësuese e saj. Synimi mbetet rritja e eficiencës, përshpejtimi i transfertave financiare dhe ulja e kostove të pagesave të përditshme.

Dori Daka: Do flasim tani për një çështje ose më mirë për një proces shumë të rëndësishëm. Proces financiar, bankar, ekonomik. Proces që ka të bëjë me ndryshimin e marrëdhënies sonë me paranë. Bëhet fjalë për lançimin ose emetimin e monedhës dixhitale të bankës qendrore. Pikërisht nga bankat qendrore. Dihet që banka qendrore është institucioni më i rëndësishëm financiar i një vendi që merret me menaxhimin e politikës së tij monetare. Për ata që e kanë lançuar, ideuar apo po e vazhdojnë në vijimësi këtë proces, që janë dhjetëra vende në botë, Banka Qendrore nga më të rëndësishmet, që nga ajo kineze, Banka e Anglisë, Banka Qendrore Europiane në Frankfurt apo Rezerva Federale në Uashington, bëhet fjalë për një proces që do të revolucionarizojë, por edhe lehtësojë marrëdhënien tonë me paranë. Por pikërisht këtu, ata që janë skeptikë, gjejnë edhe probleme. Probleme në lidhje me disa aspekte të këtij procesi. E gjithë kjo tërësi të dhënash, gjithë ky informacion i plotë i të gjitha lëvizjeve financiare apo monetare që nga individi deri te shtetet, nëse do të binte në duar jo të mira, do të krijonte sigurisht probleme. Madje disa e çojnë më tej frikën e tyre duke thënë që është duke u krijuar një shtet totalitar, një shoqëri distopike, një Big Brother i madh. Sigurisht që bëhet fjalë për një proces tepër të rëndësishëm, që unë kam kënaqësinë të ndaj sigurisht informacione në lidhje me të, me zonjën Anjeza Beja, eksperte e sistemit financiar.

Atëherë ta fillojmë nga gjëja e parë dhe sigurisht e thjeshtë. Çfarë është monedha dixhitale e bankës qendrore?

Anjeza Beja: Po, kjo pyetje ngrihet me shumë të drejtë në fakt, sepse në media apo në vrojtime të ndryshme dhe unë kam parë qarkullojnë terminologji nga më të ndryshmet që i kthejnë edhe konfuze për njerëzit e thjeshtë. Pra është jo e drejtë kjo gjë. Dhe është e rëndësishme të kuptojmë fillimisht që kur flasim për monedha dixhitale të një banke qendrore nuk flasim për monedha virtuale që jemi mësuar gjerësisht të njohim si për shembull Bitcoin apo kriptomonedhat. Monedha dixhitale që emetohet nga banka qendrore, nga vetë emri, tregon që në fakt është një paraqitje dixhitale e parasë cash. Pra, e monedhës kombëtare të një vendi të caktuar që ne çdo ditë e kemi në përdorim dhe që emetohet pra nga banka qendrore. Dhe ndër të tjera ajo paraqitet edhe si një detyrim në pasivin e bilancit të një banke qendrore. Pra njësoj siç është edhe paraja fizike sot. Dhe për më tepër, ashtu siç edhe paraja që ne njohim, për shembull leku apo euro, të cilat kanë një kurs ligjor, edhe një monedhë dixhitale e emetuar nga një bankë qendrore në të ardhmen do të ketë sërish të njëjtin kurs ligjor siç ka edhe monedha fizike dhe konsiderohet si pjesë e bazës monetare.

Pra nuk është njësoj si monedhat virtuale le të themi, që kanë emetues të ndryshëm, shpeshherë edhe të panjohur, por në këtë rast dihet kush është emetuesi dhe është banka qendrore vetë. Dhe monedha dixhitale mund të emetohet në dy forma që janë të njohura në terma të përgjithshëm, që është varianti me pakicë ose për përdorimin e gjerë të popullatës dhe kjo nënkupton faktin që shpërndarja e saj bëhet nëpërmjet subjekteve financiare të rregulluara, siç janë bankat ose subjekte financiare jo banka, dhe përdoret nga ana e popullatës së gjerë për të kryer transaksione njësoj siç kryhen sot edhe nëpërmjet kanaleve bankare, financiare, apo edhe nëpërmjet parasë cash. Kurse varianti tjetër i saj është varianti i një monedhe dixhitale me shumicë, e cila nënkupton që përdorimi në fakt i saj është më i limituar, nuk është tek popullata e gjerë, por është vetëm tek institucionet financiare. Dhe në fakt një formë të saj ne e kemi të njohur edhe sot, sepse bankat qendrore mbajnë në bilancet e tyre llogaritë, depozitat e bankave tregtare apo institucioneve të tjera financiare që është, kuptohet, në një format dixhital ose format elektronik. Dhe sigurisht paraja dixhitale le të themi, ose monedha dixhitale e emetuar nga banka qendrore, dallimi kryesor, siç e thamë për t'u krahasuar me paranë që përdorim sot cash, është forma. Pra sepse nuk është fizike por është variant dixhital.

Dori Daka: Zonja Beja, po a do ta nxjerrë komplet nga tregu paraja dixhitale paranë letër? Domethënë në përfundim të procesit gjithmonë, pra nuk do të kemi më para nëpër duar?

Anjeza Beja: Është shumë e vështirë në mendimin tim që të nxirret tërësisht nga qarkullimi paraja...

Dori Daka: Po a është ai synimi gjithsesi?

Anjeza Beja: Jo domosdoshmërisht. Për shembull, në Bashkimin Europian është qartësuar ose është publikuar qartë nga ana e tyre që qëllimi nuk është zëvendësimi i parasë cash, është plotësimi i saj. Pra euro dixhitale në të ardhmen do të konsiderohet si një komplementare e parasë fizike dhe jo si një zëvendësuese e plotë e saj. Pra nuk është ky qëllimi në vetvete. Qëllimi në vetvete është që të rritet efiçenca e përdorimit të parasë. Në terma të përgjithshëm pra, transfertat të kryhen në mënyrë më të shpejtë, të kryhen me kosto sa më të ulët, pagesat në përditshmëri e të tjera.

Dori Daka: E kuptoj, pra është një qëllim goxha fisnik dhe lehtësues i marrëdhënies sonë me paranë. Siç e thashë edhe në fillim, gjithsesi përmendët Bankën Qendrore Europiane, ajo po nxiton në këto momente për ta emetuar këtë monedhë, madje ka një plan të shpejtë për 2026-n. Ndërkohë, a mund të kemi një panoramë më të gjerë në lidhje me ecuritë e qendrave të ndryshme financiare Kinën, Uashingtonin, Londrën? Apo qoftë edhe vendet e tjera që janë marrë me këtë proces në mënyrë intensive. Si është ky proces në qendra të ndryshme financiare të botës? Përfshi edhe Ballkanin që sigurisht na takon më së afërmi.

Anjeza Beja: Po patjetër. Në qoftë se i referohemi një studimi më të fundit që ka bërë Këshilli Atlantik, mbi 130 banka qendrore në nivel botëror janë aktualisht në fazë kërkimore për ndërtimin e një monedhe dixhitale të një banke qendrore. Dhe aktualisht rreth 15 prej tyre janë në fazë pilotimi, pra në një fazë goxha më të avancuar, ku përfshihet këtu edhe Kina që është ndër shtetet në nivelin më të lartë të pilotimit aktualisht. Dhe vetëm katër banka qendrore në nivel botëror e kanë përfunduar këtë proces dhe kanë implementuar monedhën e tyre dixhitale, ku për shembull përmendim Nigerinë së fundmi apo Bankën Qendrore të Bahamasit e të tjerë. Ndërsa në nivel të Bashkimit Europian siç edhe ju e thatë, janë në një fazë goxha të avancuar para-pilotimi të euros dixhitale, madje ka disa banka qendrore të vendeve anëtare që janë duke testuar direkt me Bankën Qendrore Europiane prototipe të euros dixhitale. Në nivel Ballkani do të thoja që nuk ka hapa konkretë në këtë drejtim...