'Ditët e Starmer janë të numëruara'/ Xhymshiti: Britania në krizën më të thellë politike që nga Lufta e Dytë Botërore
Në një intervistë për “SYRI I BOTËS” me moderatoren Dori Daka në Syri TV, gazetari Vudi Xhymshiti deklaroi se Britania e Madhe po kalon një krizë të thellë politike dhe lidershipi, duke theksuar se edhe Keir Starmer po përballet me të njëjtin fat si paraardhësit e tij në Downing Street.
Sipas Xhymshitit, tradita politike britanike funksionon mbi bazën e ruajtjes së interesit shtetëror dhe, sapo një kryeministër humbet besueshmërinë e publikut dhe institucioneve, fillojnë mekanizmat për largimin e tij.
Ai përmendi pakënaqësitë mbi politikat ekonomike, si dhe skandalet që lidhen me ministra të kabinetit të Starmer, të akuzuar për pranimin e donacioneve nga persona të lidhur me Izraelin dhe Kinën. Gazetari theksoi se mediat britanike kanë intensifikuar hetimet ndaj qeverisë, sidomos pas publikimit të informacioneve që lidhnin ambasadorin britanik në Washington, Peter Mandelson, me Jeffrey Epstein.
Më tej, Xhymshiti u shpreh se përçarjet brenda kabinetit janë shtuar dhe se “ditët e Starmer janë të numëruara”.
Xhymshiti:
Britania e Madhe është duke kaluar një lloj krize të thellë politike që prej periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, për herë të parë në 10 vitet e fundit, siç e përmendët edhe më herët, se ka pasur një ndërrim të jashtëzakonshëm të shpejtë të kryeministrave të cilët uleshin në Downing Street. Me sa duket edhe zoti Starmer nuk është një përjashtim nga ata. Ajo çfarë është në traditën e politikës britanike është se sapo të merret vesh se një kandidat për pozitën e kryeministrit i cili ka rritur besueshmërinë e publikut britanik dhe establishmentit të sigurisë kombëtare britanike, sapo të fillojë të na tregojë se megjithatë, çfarë ai ka premtuar se do të jetë, po del që nuk është, atëherë të gjitha mekanizmat institucionalë të mbrojtjes së interesit shtetëror fillojnë për të vepruar, që ta përgatisin terrenin që zotëriu në fjalë të dalë nga ajo shtëpi ku nuk i takon më.
Kjo është situata edhe me zotin Starmer, siç ka qenë situata me Boris Johnson, siç ka qenë situata me Rishi Sunak, siç ka qenë situata me David Cameron, Theresa May, Liz Truss, e nuk e di nëse ka ndonjë emër tjetër që po ma kujton, mbase se janë bërë aq shumë saqë e vështirë është t'i kujtojmë nëse nuk mbajmë shënime. Ajo që është e rëndësishme është që përkundër faktit që është legjitime të thuhet që shteti britanik është në krizë të lidershipit sepse pavarësisht përpjekjeve të njëpasnjëshme të partive politike të cilat po përpiqen të sjellin kandidatin e tyre që ata po e konsiderojnë si të preferuar dhe si të duhur për zyrën kryeministrore, po del që ata nuk ia kanë arritur ta gjejnë njeriun e duhur dhe normalisht mekanizmat e mbrojtjes institucionale, mbrojtjes së shtetit britanik, të interesave të popullit britanik, po vihen në funksion pastaj për ta pastruar rrugën dhe për t'i thënë zotëriut se duhet të shkosh shpejt sepse nuk kualifikohesh të vazhdosh të jesh kryeministër i këtij vendi.
Ndryshimet ekonomike, taksimi i të pasurve dhe përballë taksave të klasës punëtore. Është një prej gozhdave shumë të rëndësishme. Mirëpo pastaj filloi të marrë peshën e vet edhe zbulimi i disa prej ministrave të tij të cilët dolën se ishin të përfshirë në disa veprime ku kishin pranuar donacione apo dhurata nga donatorë izraelitë apo njerëz të lidhur me shtetin izraelit. Disa të tjerë dolën që kishin qenë thuajse në një rutinë të përfshirjes së marrjes së donacioneve edhe nga burime kineze. Kështu pra filloi media britanike që dalëngadalë të gjurmojë, të hulumtojë, t'i ekspozohet te lidhje, deri tek pasqyrimi i të vërtetës së veprimit të tij politik pasi ka ardhur në zyrën e Downing Street, përballë premtimeve për ndryshim të jetës dhe cilësisë së jetës në Britani, para se ai ta merrte besimin nëpërmjet një procesi zgjedhor në Britani.
Dhe ajo që e vendosi vijën e kuqe dhe që nisën edhe strategjitë editoriale të të gjitha mediave kombëtare që të kërkojnë largimin e tij, është fakti që për ambasadorin britanik në Washington, Mandelson, doli se dikush nuk e kishte treguar të vërtetën nga fakti që ai nuk i kishte kaluar kriteret e kualifikimit për t'u emëruar si ambasador, ndër arsyet e dukshme kishte qenë se ai kishte qenë një njeri që kishte bërë veprime interaktive me Jeffrey Epstein. Dhe sapo dolën në sipërfaqe file-t e dosjes Epstein, emri i tij doli dhe mediat britanike filluan të merren me një hov edhe më të madh dhe sa më shumë që merreshin me këto tematika, sa më shumë njerëz të tjerë që janë pjesë e kabinetit qeveritar të kryeministrit Starmer dolën të shprehnin shqetësimet e tyre, mospajtimet e tyre me shefin e kabinetit dhe dalëngadalë jemi në një situatë ku faktikisht ditët e tij janë të numëruara.