Përplasje në Torino para derbit mes tifozëve të Juventusit dhe policisë
Tensione të forta janë regjistruar në Torino vetëm pak orë para “Derby della Mole” mes Torinos dhe Juventusit, sfidë që do të nisë në orën 20:45 dhe që mbyll sezonin për të dyja skuadrat.
Sipas raportimeve nga mediet italiane, tifozët bardhezi u grumbulluan pranë stadiumit “Olimpico Grande Torino”, ndërsa situata u tensionua me ndërhyrjen e forcave të rendit. Nuk munguan përplasjet mes ultrasve të Juventusit dhe policisë, duke krijuar momente kaosi në zonën përreth impiantit sportiv.
Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për të shmangur përshkallëzimin e incidenteve, ndërsa atmosfera në qytet mbetet shumë e ndezur përpara derbit të madh torinez.
Ndeshja ka rëndësi të madhe sidomos për Juventusin, që vazhdon të luftojë për një vend në Ligën e Kampionëve, çka ka rritur edhe më shumë tensionin mes tifozëve para fillimit të takimit.