Ajaxi kalon në turin e dytë kualifikues të Conference League-s pas dramës me penallti ndaj Utrecht-it

Ajax-i siguroi kualifikimin në turin e dytë kualifikues të Conference League pas triumfit dramatik me penallti ndaj Utrecht-it. Ndeshja e zhvilluar në Volendam përfundoi 1-1 pas kohës së rregullt dhe shtesave, ndërsa skuadra nga Amsterdami u tregua më e saktë nga pika e bardhë.

Ky sukses i lejoi Ajax-it të mbyllte një sezon të vështirë me një notë disi pozitive, pasi skuadra e përfundoi Eredivisien në vendin e pestë.

Klubi holandez do të nisë aventurën evropiane më 23 korrik, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 30 korrik. Shorti për turin kualifikues do të hidhet më 17 qershor. Nëse Ajaxi kalon edhe këtë fazë, do të duhet të fitojë edhe dy ture të tjera për të arritur në fazën e grupeve të Conference League.

Në pjesën e parë, rastet më të mira për Ajax-in erdhën nga goditjet nga distanca të Steven Berghuis dhe Aaron Bouwman, por portieri i Utrecht-it, Vasilios Barkas, reagoi saktë në të dyja rastet.

Pas pushimit, Ajaxi u shfaq më agresiv. Bouwman iu afrua golit me një goditje me kokë, ndërsa më pas Mokio goditi traversën. Megjithatë, Utrechti reagoi në fundin e kohës së rregullt dhe krijoi disa raste të mira, pa arritur të shënonte.

Në shetsa ishte Davy Klaassen ai që zhbllokoi sfidën. Mesfushori, i njohur si “Mister 1-0”, realizoi pas një topi të kthyer nga mbrojtja pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi.

Gjithsesi, Utrecht-i barazoi në pjesën e dytë të shtesës me golin e Gjivai Zechiwl, duke e çuar ndeshjen te penalltitë.

Nga pika e bardhë, Ajax-i ishte perfekt duke realizuar të katër penalltitë, ndërsa për Utrechtin gabuan Sébastien Haller dhe Souffian El Karouani. Kështu, skuadra nga Amsterdami festoi kualifikimin pas një përballjeje shumë të luftuar.