Aksident i rëndë për ish-mbrojtësin i Bologna-s, ndodhet në terapi intensive

Momente të vështira për Marios Oikonomou. Ish-mbrojtësi grek, i cili gjatë karrierës së tij në Itali ka veshur fanellat e Cagliari-t, Bologna-s, SPAL-it, Barit dhe Sampdorias, ndodhet i shtruar në gjendje të rëndë pas një aksidenti rrugor në Greqi.

Ngjarja ndodhi në Janinë, qyteti i lindjes së ish-futbollistit, në mëngjesin e së shtunës, më 23 maj. Sipas raportimeve nga mediet greke, motoçikleta e 33-vjeçarit u përplas me makinën e një 63-vjeçari pikërisht pranë spitalit lokal.

Si pasojë e aksidentit, Oikonomou pësoi dëmtime serioze kranio-cerebrale. Ai iu nënshtrua menjëherë një operacioni urgjent dhe më pas u transferua në repartin e terapisë intensive, ku mjekët po monitorojnë nga afër gjendjen e tij.

I lindur në vitin 1992, Oikonomou ishte një nga protagonistët e rikthimit të Bologna-s nga Serie B në Serie A në sezonin 2014-2015. Në vitin 2024, pas eksperiencës me Panathinaikos, ai vendosi t’i japë fund karrierës si futbollist.

Pas lajmit të rëndë, reagoi edhe AEK-u i Athinës, klub ku mbrojtësi kishte luajtur për dy vite. “Familja e AEK Athinës është pranë Mariosit dhe familjes së tij, me shpresën se do të dalë fitues nga beteja më e vështirë e jetës së tij”, thuhej në deklaratën e klubit grek.