'Një qytet i tërë fshihet nga harta e Shqipërisë çdo vit', Ailolli: Kemi shifrat e frikshme të shpopullimit
Në një intervistë për SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, deputetja e PD-së, Ledina Aliolli, ka ngritur me forcë alarmin për zbrazjen e Shqipërisë, duke theksuar se kjo nuk është thjesht një statistikë.
Sipas saj, shpopullimi po përkthehet çdo ditë në shkolla të mbyllura, biznese të falimentuara, toka bujqësore të djerrëta dhe të moshuar të vetmuar që jetojnë vetëm me shpresën e një telefonate nga fëmijët në emigrim.
Për të kërkuar llogari mbi këtë krizë të thellë, një grup deputetësh të opozitës kanë kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama. Shifrat e raporteve ndërkombëtare tregojnë një realitet të zymtë që hedh poshtë çdo pretendim për rritje ekonomike.
Sipas Aliollit, të dhënat nga Banka Botërore flasin për një emigracion neto prej minus 24,000 personash, që do të thotë se Shqipëria humbet çdo vit një qytet të tërë. Truri i kombit po rrjedh pa kthim, pasi nuk po ikin vetëm njerëzit në vështirësi ekonomike, por mjekët, profesionistët, mësuesit dhe të rinjtë që mbajnë gjallë energjinë e vendit.
Aliolli shprehet se tragjedia demografike thellohet edhe më shumë nga raportimet e Eurostat, i cili e rendit Shqipërinë si vendin me rënien më të thellë të popullsisë në rajon, me një tkurrje prej minus 1.2%. Si të mos mjaftonte largimi masiv, edhe institucionet e brendshme si INSTAT konfirmojnë se shtesa natyrore e popullsisë ka kaluar në terrene negative, me vdekjet që po tejkalojnë lindjet.
Alolli artikuloi se vendi po humbet ekuilibrat jetikë të tij, i zhytur në kushte të vështira ekonomike dhe sociale që po detyrojnë qytetarët të braktisin shtëpitë e tyre.
Aliolli:
Është një nga proceset më të rëndësishme demokratike që ka zhvilluar Partia Demokratike, pra referendumi i ditës së djeshme, i cili tregoi edhe njëherë mbështetjen masivisht nga ana e demokratëve të kësaj force politike dhe dhënien e votëbesimit për liderin historik të Partisë Demokratike, Profesor Doktor Sali Berishën. Siç e keni ndjekur edhe vetë dje, ka qenë një proces i qartë, i qetë, konform të gjithë rregullave statusore të Partisë Demokratike dhe pjesëmarrja e demokratëve në këtë proces referendumi ka treguar edhe njëherë që zëri i tyre do të dëgjohej nëpërmjet votës dhe mbështetjes për liderin e Partisë Demokratike.
Kjo tregon edhe njëherë që demokratët kërkojnë ecjen përpara të Partisë Demokratike, por njëkohësisht edhe fuqizimin e saj në përballje me betejat që ata e presin, në përballje me këtë regjim të korruptuar që ne kemi përballë nesh. Prandaj këto procese kërkojnë edhe njëherë riorganizimin e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht përgatitjen e saj për betejat që na presin. Shqiptarët presin më shumë nga ne dhe sigurisht këto procese do ta forcojnë edhe më shumë Partinë Demokratike dhe do ta bëjnë atë të gatshme për t'u përballur me të gjitha sfidat dhe betejat e ardhshme deri në rrëzimin e kësaj qeverie të korruptuar.
Është e vërtetë, ju renditët një sërë faktesh të cilat sot qëndrojnë për këtë situatë në të cilën po jeton sot vendi ynë. Shpopullimi në fakt është një plagë e hapur e kësaj shoqërie, por në fakt është një plagë e cila po godet siç dhe ju e përmendët, po godet qytete të tëra, fshatra të tëra, por nga ana tjetër ai po godet njëkohësisht ekonominë e këtij vendi, por nga ana tjetër edhe po rrezikon edhe ekzistencën e të ardhmes sonë si komb. E kam ngritur para dy ditësh këtë lloj problematike, por jo vetëm nëpërmjet kësaj konference që unë kam bërë, por nga ana tjetër së bashku me një grup deputetësh të Partisë Demokratike kemi kërkuar për këtë lloj problematike edhe një interpelancë urgjente me kryeministrin Rama për të diskutuar në lidhje me këtë alarm kombëtar për vendin tonë.
Shpopullimi nuk është në fakt vetëm një statistikë emigracioni, por do të thoja shpopullimi sot është banka bosh në shkolla, është dera e mbyllur e një biznesi, është toka të bosh dhe të papunuara sot të fermerëve, prodhime të hedhura lumë të bujqësisë shqiptare, por nga ana tjetër fshatra që po boshatisen dhe prindër që ngelen me telefonat në dorë për të pritur një video-telefonatë nga fëmijët e tyre. Prandaj theksoj, është një alarm i madh kombëtar për vendin tonë dhe qëllimi ynë për këtë lloj interpelance është për të kuptuar realisht se cilat janë politikat e qeverisë shqiptare për të ndaluar këtë problematikë shumë shqetësuese që ne kemi.
Ju përmendët pak shifra dhe unë tani dua të flas pak me shifra realisht për atë se çfarë ndodh, sepse ndoshta pozita ose qeveria shqiptare, këto që ne përmendim në lidhje me shpopullimin, në lidhje me emigracionin masiv, në lidhje me largimin e të rinjve, mund t'i quajë edhe shpikje, shifra politike. Por jo, sot do t'i referohemi faktikisht raporteve të institucioneve si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Dhe në qoftë se do t'i referohesha sot të dhënave të raportit të Bankës Botërore, citon që emigracioni neto i Shqipërisë për vitin 2025 rezulton me rreth minus 24,000 persona. Çka do të thotë që Shqipëria vazhdon të humbasë popullsi nga largimi i qytetarëve të saj.
Por nëse do të përmendim shifrën 24,000, çfarë do të thoshim? Që kjo nuk është një statistikë normale, por është një alarm kombëtar, sepse këtu nuk është problemi se vetëm sa vetë ikin nga vendi ynë, po problemi tjetër është dhe cilët janë ata që ikin dhe largohen nga ky vend. Sot nuk kërkojnë të largohen nga vendi vetëm njerëzit të cilët janë në nevojë, por ne na largohen të rinjtë, ne na largohen profesionistët, ne na largohen mjekë, arsimtarë, infermierë. Dhe duke ju referuar shifrës që përmenda, 24,000 persona, është që të të largohet nga ky vend, nëse do ta krahasoja, një qytet me një popullsi të vogël...
Një qytet me popullsi të vogël dhe ky është një alarm shumë i madh. Të na ikë rinia do të thotë që ky vend nuk humbet vetëm popullsinë e vet, por humbet energjinë, humbet ekonominë e vet, humbet lindjet, humbet shpresën, por edhe besimin që ky vend mund të ketë, ose të gjithë mund të kenë për të ardhmen e këtij vendi. Do t'i referohem meqënëse ju referova statistikave të Bankës Botërore, po i referohemi Eurostat-it, i cili publikon rënien më të thellë të popullsisë në rajon me një tkurrje minus 1.2%, që është e ndikuar nga emigracioni por edhe nga ulja e lindshmërisë. Një statistikë tjetër do të thoja është që përgjatë muajve të parë, tremujorit të parë të vitit 2026, Shqipëria ka regjistruar më shumë vdekje sesa lindje.
Çka do të thotë kjo që shohim që shtesa natyrore e popullsisë është rikthyer në një nivel negativ. Po i referohemi tani institucioneve tona që është INSTAT-i, i cili e thekson këtë: Shqipëria po hyn në shtesën natyrore negative të popullsisë, që do të thotë më shumë vdekje sesa lindje. Pra çfarë kuptojmë me këtë? Shqipëria po humbet ekuilibrat jetikë të saj. Dhe arsyet sot që njerëzit largohen nga ky vend janë disa faktorë, janë kushtet ekonomike, janë nga ana tjetër kushtet sociale...