Takim i rëndësishëm te Milani, Cardinale diskuton të ardhmen e klubit me Ibrahimoviçin

Në ditën më të rëndësishme të sezonit për Milanin, me kuqezinjtë që do të luajnë në “San Siro” ndaj Cagliari-t për një vend në Ligën e Kampionëve, pronari Gerry Cardinale ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Milano për të diskutuar të ardhmen e klubit.

Sipas raportimeve nga mediet italiane, në drekën e organizuar nga kreu i fondit RedBird ishin të pranishëm Zlatan Ibrahimović, këshilltari i administratës kuqezi Massimo Calvelli, shefja e sektorit të markës Francesca Montini, si dhe më vonë iu bashkua edhe Geoffrey Moncada. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte mungesa e administratorit aktual të deleguar, Giorgio Furlani.

Takimi konsiderohet shumë i rëndësishëm për organizimin e ardhshëm drejtues të Milanit. Cardinale pritet të marrë vendime të rëndësishme në ditët në vijim, duke nisur pikërisht nga pozita e Furlanit dhe emri që mund ta zëvendësojë atë në strukturën drejtuese të klubit.

Në tryezë janë edhe çështje të tjera të rëndësishme për të ardhmen sportive të kuqezinjve. Pronari amerikan duhet të vendosë edhe për vazhdimësinë e Igli Tares dhe trajnerit Massimiliano Allegrit, i cili aktualisht drejton Milanin.

Ndërkohë, Cardinale ka vendosur të qëndrojë pranë skuadrës edhe në sfidën vendimtare ndaj Cagliari-t. Në “San Siro” pritet një atmosferë elektrizuese, me mbi 70 mijë tifozë që do të mbështesin kuqezinjtë në ndeshjen që mund të vulosë rikthimin e tyre në Champions League.