Real Madridi synon mbrojtësin e Interit, është fiksim i Mourinho-s

Real Madridi po mendon për një përforcim të rëndësishëm në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa objektivi kryesor duket se është Denzel Dumfries i Interit.

Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, trajneri i ardhshëm i madrilenëve, José Mourinho, nuk e konsideron prioritet Trent Alexander-Arnold në projektin e ri të skuadrës. Mbrojtësi anglez po kalon një moment të vështirë, sidomos pas mungesës në listën e Anglisë për Botërorin e ardhshëm.

Në këtë situatë, Mourinho ka kthyer vëmendjen te Dumfries, të cilin e vlerëson si profil ideal për skemën e tij. Mbrojtësi holandez ka zhvilluar sezone shumë të mira me Interin dhe ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha evropiane, por tani Real Madridi duket se po lëviz seriozisht për ta transferuar.

Për të siguruar kartonin e lojtarit, klubi spanjoll duhet të paguajë klauzolën e largimit, e cila kap vlerën e 25 milionë eurove. Një shumë e konsideruar e përballueshme për madrilenët, sidomos duke parë eksperiencën dhe paraqitjet e Dumfriesit në nivelet më të larta.

Mbetet të shihet nëse Interi do të arrijë ta bindë holandezin të qëndrojë, apo nëse oferta e Real Madridit dhe prania e Mourinhos do të ndikojnë në vendimin e tij për të nisur një aventurë të re në Spanjë.