Nesta rikthehet në stol, klubi i Serisë B e zgjedh për projektin e ri

Klubi i Avellino-s ka vendosur për trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm në Serie B. Sipas raportimeve nga mediet italiane, drejtuesit e klubit bardhejeshil kanë zgjedhur Alessandro Nestën si njeriun që do të drejtojë skuadrën në edicionin e ri.

Fillimisht, favorit për të zëvendësuar Davide Ballardinin ishte Luca D’Angelo, por palët nuk arritën marrëveshje. Për këtë arsye, Avellino ndryshoi drejtim dhe u fokusua te Nesta, i cili tani është shumë pranë rikthimit në pankinë. Në ditët e ardhshme pritet takimi përfundimtar me pronarët e klubit, ku do të diskutohen detajet e fundit të kontratës para firmës zyrtare.

Sipas burimeve pranë klubit, marrëveshja pritet të jetë dyvjeçare. Për Nesten do të ishte rikthim i rëndësishëm pas eksperiencës së vështirë me Monzën sezonin e kaluar, që përfundoi me rënien e skuadrës në Serie B. Ish-mbrojtësi legjendar italian fitoi kështu garën ndaj Gabriele Cioffi-t, një tjetër emër që ishte përfolur shumë për pankinën e Avellinos.

Ndërkohë, klubi nuk po mendon vetëm për trajnerin. Drejtori sportiv Mario Aiello po ndjek me vëmendje fazën përfundimtare të kampionatit Primavera, në kërkim të talentëve të rinj që mund të forcojnë skuadrën. Ideja e klubit është të vazhdojë projektin e nisur që nga sezoni në Serie C, duke investuar te lojtarët e rinj dhe perspektivë.