Një burrë u vra nga një sulm peshkaqeni pranë bregdetit verilindor të Australisë, kanë konfirmuar autoritetet

Shërbimet e emergjencës u thirrën në një rampë për varka në zonën e Cassowary Coast, midis qyteteve Cairns dhe Townsville në shtetin Queensland, pak para mesditës të dielën, pasi u raportua se një 39-vjeçar ishte sulmuar ndërsa po notonte pranë një shkëmbi në det.

Policia e Queensland-it tha në një deklaratë se burri u nxor nga uji, por ndërroi jetë nga plagët e marra.

Ky është sulmi i dytë fatal nga peshkaqenët në ujërat australiane brenda dy javësh, pasi një 38-vjeçar u vra javën e kaluar teksa po merrej me peshkim nënujore pranë Perth-it, në Australinë Perëndimore.

Në atë rast, viktima ishte kafshuar në pjesën e poshtme të këmbëve dhe nuk mundi të shpëtohej.

Policia nuk dha detaje mbi plagët e viktimës së fundit dhe as identitetin e tij.

Autoritetet thanë se do të përgatisin një raport për mjekun ligjor mbi këtë vdekje të “papritur dhe jo të dyshimtë”.

“Meqë çështja është në shqyrtim nga mjeku ligjor, nuk do të ishte e përshtatshme të komentonim më tej,” shtoi policia.

Sulmet e peshkaqenëve në Australi janë më të zakonshme sesa në shumë vende të tjera të botës, megjithëse shumica nuk janë fatale.

Sipas Bazës Australiane të Incidenteve me Peshkaqenë, në janar pati katër incidente me peshkaqenë në Australi, por vetëm një prej tyre përfundoi me viktimë./BBC