SYRI TV/ Raporti i DASH për Ballkanin dorëzohet në Kongresin e SHBA: Krimi organizuar kërcënim për SHBA
Krimi i organizuar dhe lidhjet e tij me kartelet e drogës në Amerikën Latine kanë zënë një vend të rëndësishëm në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili është dorëzuar në Kongresin Amerikan. Raporti thekson se këto grupe përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe se administrata amerikane do t’i godasë këto rrjete kudo që operojnë. Raporti thekson se qeverisja e dobët pengon investimet, deformon konkurrencën dhe shërben si kanal për krimin e organizuar ndërkombëtar.
Grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor dhe lidhjet e tyre me kartelet e drogës në Amerikën Latine konsiderohen si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu shkruhet në dokumentin më të ri të Departamentit të Shtetit, i cili është paraqitur në Kongresin Amerikan. Nisur nga gjuha e përdorur në këtë dokument dhe elemente të veçanta, siç është pastrimi i parave të drogës, duket qartë se ky paragraf i referohet rrezikshmërisë që paraqet krimi i organizuar shqiptar dhe lidhjet e tij të forta me narkotrafikun ndërkombëtar.
“Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Rrjetet kriminale të rajonit kanë krijuar lidhje me kartele droge të hemisferës perëndimore dhe kanë lehtësuar trafikun e narkotikëve dhe emigracionin ilegal drejt SHBA-së.
Administrata do të godasë dhe çmontojë këto rrjete kudo që operojnë. Programet e Departamentit të Shtetit prioritizojnë partneritetin me aktorët lokalë për të çmontuar organizatat kriminale transnacionale, për të ndalur trafikun e drogës drejt SHBA-së dhe për të luftuar pastrimin e parave dhe flukset financiare ilegale.”
Raporti i fundit i paraqitur në Kongres mbi politikën e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor tregon një qasje gjithnjë e më pragmatike dhe të orientuar nga interesat strategjike. Në raport, Shtetet e Bashkuara kërkojnë:
Përmirësim të klimës së biznesit dhe reduktim të barrierave rregullatore
Transparencë më të lartë në prokurimet publike
Hapje më të madhe të tregjeve për kompanitë amerikane
Rritje të investimeve në infrastrukturë me pjesëmarrje direkte të firmave amerikane
Në dokument theksohet se rajoni vuan nga mungesa e infrastrukturës. Rrjetet fizike të transportit mbeten pas standardeve europiane, duke rritur kostot për bizneset dhe duke kufizuar integrimin e tregut. Aty thuhet se qeverisja e dobët pengon investimet, deformon konkurrencën dhe shërben si kanal për krimin e organizuar ndërkombëtar.
Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se Kina dhe Rusia kërkojnë aktivisht të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe qeverisjen e dobët në rajon. Ruajtja e stabilitetit dhe zgjerimi i bashkëpunimit tregtar janë mjete të fuqishme për të kundërshtuar ndikimin keqdashës në Ballkanin Perëndimor, thuhet ndër të tjera në raportin e Departamentit të Shtetit drejtuar Kongresit Amerikan.