'E ëndërroja këtë moment', një hap larg titullit WBC, Hadribeaj flet si i pamposhtur...
Nga Oberhauseni i Gjermanisë vjen një tjetër sukses i madh për sportin shqiptar. Ermal Hadribeaj, i njohur në ring si “The Albanian Sniper”, ka triumfuar bindshëm ndaj francezit Balary Samake në sfidën “WBC World Final Elimination Fight”, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt objektivit të madh: titullit botëror të WBC.
Në një atmosferë elektrizuese në pallatin e sportit, qindra tifozë shqiptarë mbushën tribunat dhe ndoqën me emocion çdo moment të përballjes. Hadribeaj zhvilloi një ndeshje të kontrolluar, duke dominuar me disiplinë taktike dhe saktësi në goditje, çka i siguroi fitoren me vendim unanim të gjyqtarëve.
Me këtë sukses, boksieri nga Tirana ruan rekordin e tij të pamposhtur në boksin profesionist dhe forcon pozitat si një nga emrat më të spikatur të sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Karriera e tij vijon të pasurohet me tituj dhe paraqitje të rëndësishme, duke e kthyer në një prej figurave më përfaqësuese të boksit kuqezi në vitet e fundit.
Pas ndeshjes, Hadribeaj u shpreh i emocionuar për fitoren:
“Jam i lumtur. Dua t’i falënderoj të gjithë tifozët kuqezi, trajnerin tim dhe të gjithë ata që më besuan dhe më mbështetën. Ndoshta dikush nuk do ta kishte besuar, por ja ku jam, falë punës së vazhdueshme dhe besimit. Do të vijoj të ndjek ëndrrën time për të garuar për titullin botëror në WBC.”
Ky triumf e afron edhe më shumë World Boxing Council (WBC) drejt sfidës për kurorën botërore, ndërsa “Snajperi Shqiptar” tashmë është vetëm një hap larg majës së boksit profesional, me sytë nga dueli i radhës që mund të vulosë ëndrrën e madhe.