Filipine/ Shembet ndërtesa në ndërtim, 19 punëtorë të zhdukur
Një ndërtesë shumëkatëshe në ndërtim është shembur gjatë orëve të natës në veri të kryeqytetit të Filipineve, duke lënë të zhdukur të paktën 19 punëtorë dhe duke shkaktuar një operacion masiv kërkim-shpëtimi nga autoritetet lokale.
Sipas njoftimit zyrtar të bashkisë së Angeles City, shërbimet e menaxhimit të fatkeqësive janë alarmuar rreth orës 03:00 të mëngjesit sipas orës lokale, pasi struktura nëntëkatëshe prej betoni u shemb papritur në kantierin e ndërtimit.
Shembja ka tërhequr me vete skelat dhe pjesë të mëdha betoni, duke zënë poshtë dhjetëra punëtorë që ndodheshin në vendin e punës në momentin e ngjarjes.
Zëdhënësi i qytetit, Xhej Pelajo, deklaroi për AFP se operacionet e shpëtimit po hasin vështirësi të mëdha për shkak të masës së madhe të rrënojave.
“Po bëjmë gjithçka për t’i gjetur. Sasia e madhe e betonit kërkon përdorimin e pajisjeve të rënda, gjë që po e ngadalëson punën e ekipeve,” u shpreh ai.
Deri më tani, autoritetet kanë konfirmuar se 24 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat, ndërsa dy të tjerë janë shpëtuar nga një ndërtesë pranë, e cila gjithashtu ka pësuar dëmtime.
Ende nuk raportohet për viktima, ndërsa shpresat mbeten që 19 punëtorët e zhdukur të gjenden gjallë. Ekipet e shpëtimit po vijojnë punën pa ndërprerje, ndërsa shkaqet e shembjes së ndërtesës mbeten ende nën hetim nga autoritetet lokale.
Under-construction building collapses in Philippines, trapping workers https://t.co/ehIZQbqcaY
— South China Morning Post (@SCMPNews) May 24, 2026