A përdori Rusia raketën hipersonike Oreshnik? Sulmi masiv drejt Kievit, 4 të vdekur mbi 50 të plagosur

Moska goditi kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, me një valë masive raketash dhe dronësh të dielën, 24 maj, duke vrarë katër persona në qytet dhe rajonin përreth dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, thanë zyrtarët, shkruan Reuters.

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Kiev pak pas orës 01:00 të mëngjesit të së shtunës (00:00 mesnatë në Shqipëri) pasi forcat ajrore ukrainase paralajmëruan në kanalin e tyre në Telegram se Rusia mund të lëshonte një raketë balistike hipersonike Oreshnik.

Forcat ajrore nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nëse një raketë Oreshnik goditi ndonjë objektiv gjatë sulmit.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se dy persona humbën jetën dhe 56 të tjerë u plagosën nga sulmet në qytet, ndërsa 30 prej tyre u shtruan në spital. Dëme u raportuan edhe në Sheshin historik të Pavarësisë.

“Ishte një natë e tmerrshme për Kievin”, tha Klitschko në një mesazh në Telegram nga vendi i njërit prej sulmeve. “Aktualisht ekipet e shpëtimit po shuajnë zjarret dhe po pastrojnë rrënojat. Mjekët po ofrojnë ndihmë për të plagosurit.”

Shumë banorë kërkuan strehim gjatë natës në stacionet e metrosë së qytetit. Nataliia Zvarych, 62 vjeç, tha se vrapoi drejt stacionit më të afërt sapo shpërthimet nisën të trondisnin qytetin.

“Ishte e frikshme, tmerruese”, tha ajo. “Kemi më shumë se tre orë këtu poshtë duke dëgjuar shpërthimet lart.”

Shefi i administratës ushtarake të qytetit tha se më shumë se 40 lokacione në Kiev pësuan dëme.

Sulme u raportuan edhe në pjesë të tjera të Ukrainës. Dy persona të tjerë humbën jetën dhe nëntë u plagosën në rajonin e gjerë të Kievit që rrethon kryeqytetin, tha guvernatori rajonal Mykola Kalashnyk.

Agimi zbulon dëmet

Me lindjen e diellit, tym i zi nga disa zjarre u përhap mbi horizontin e qytetit, duke lënë një erë të rëndë në disa zona. Zjarrfikësit përdorën pompa uji për të shuar flakët në ndërtesat e dëmtuara, ndërsa ekipet e shpëtimit evakuuan të plagosurit.

Pamjet treguan se fasada e përparme e një ndërtese banimi pesëkatëshe ishte shembur. Zyrtarët raportuan dëme në zyra, dyqane, magazina dhe në hyrjen e një stacioni metroje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar të shtunën se Rusia po përgatiste një sulm ndaj Ukrainës me raketën Oreshnik, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës nga Ukraina, SHBA-ja dhe Evropa.

Rusia e ka përdorur tashmë dy herë kundër Ukrainës raketën Oreshnik, e cila ka rreze veprimi prej disa mijëra kilometrash dhe mund të mbajë edhe një kokë bërthamore. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se raketa është e pamundur të interceptohet për shkak të shpejtësisë së saj, që raportohet të jetë më shumë se 10 herë shpejtësia e zërit.

Paralajmërimi i Zelenskyt erdhi pasi Putin urdhëroi ushtrinë ruse të përgatiste opsione hakmarrjeje ndaj Ukrainës pas një sulmi me dron ndaj një konvikti studentor në rajonin e pushtuar rusisht të Luhanskut, në lindje të Ukrainës, të premten.

Ushtria ukrainase i mohoi akuzat dhe tha se kishte goditur një njësi komanduese ruse të dronëve. /REUTERS/