Alarm te PSG-ja para finales me Arsenalin, Hakimi dhe Dembele mungojnë në stërvitje

Paris Saint-Germain po përballet me shqetësime serioze vetëm një javë para finales së madhe të Champions League ndaj Arsenalit.

Sipas raportimeve të “L'Equipe”, dy nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, Achraf Hakimi dhe Ousmane Dembele, munguan në testin stërvitor të zhvilluar të shtunën, duke ngritur pikëpyetje për gatishmërinë e tyre në finalen vendimtare.

Seanca intensive u zhvillua në Budapest dhe u ndoq nga ultrasit e PSG-së, të cilët krijuan një atmosferë të zjarrtë për të motivuar skuadrën para sfidës më të rëndësishme të sezonit.

Lajmi pozitiv për trajnerin parisien ishte rikthimi në stërvitje i Willian Pacho dhe Nuno Mendes, por mungesat e Hakimit dhe Dembeles kanë marrë gjithë vëmendjen në kampin francez.

Sipas mediave franceze, Hakimi po stërvitet individualisht për shkak të një problemi në kofshë, i cili është shfaqur pas ndeshjes ndaj Bayern Munich.

Stafi mjekësor po tregohet i kujdesshëm për të shmangur çdo komplikim.

Ndërkohë, situata e Dembele duket edhe më delikate. Sulmuesi francez ka qëndruar nën mbikëqyrje të afërt mjekësore për shkak të një problemi në pulpë, që sipas raportimeve po konsiderohet serioz.

Me finalen që afrohet, PSG tashmë është në garë me kohën për të rikuperuar dy nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës, në një përballje ku çdo mungesë mund të rezultojë fatale.