'Mbyllet votimi për referendumin e PD në Elbasan'/ Mhillka: Proces i qetë dhe pa problematika
Gazetarja e Syri Televizion, Margarita Mhillka, raporton se procesi i votimit për referendumin në selinë e Partisë Demokratike në Elbasan është mbyllur zyrtarisht, pas një shtyrjeje prej një ore për shkak të fluksit të lartë të votuesve në orët e fundit të procesit.
Sipas saj, votimi ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa problematika deri në mbylljen e tij në orën 19:00.
Mhillka thekson se një pjesëmarrje më e lartë është regjistruar gjatë orëve të pasdites, çka ka sjellë edhe zgjatjen e procesit të votimit.
Sipas raportimeve nga terreni, e njëjta situatë e qetë dhe e rregullt është shënuar edhe në degët e tjera të qarkut të Elbasanit si Cërrik, Peqin, Belsh, Gramsh dhe Librazhd. Tashmë pritet që në vijim të nisë publikimi i rezultateve nga të gjitha bashkitë e qarkut.
Deklarata e plotë:
"Në këto momente është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në selinë e Partisë Demokratike të qytetit të Elbasanit.
Ndërkohë që votimi u shty me një orë, pra deri në orën 7 të pasdites, ndërkohë që ka qenë një proces i cili ka nisur që prej orës 8 të mëngjesit të sotëm.
Duke qenë se numri i votuesve ka qenë më i shtuar gjatë orëve të fundit, pra nga ora 5 deri në orën 6, është vendosur dhe që të bëhet një shtyrje deri në orën 7 të pasdites, për t'u mbyllur kështu pikërisht disa minuta më parë.
Ndërkohë që procesi jo vetëm në Elbasan, por si në Cërrik, Peqin, Belsh, Gramsh, Librazhd dhe që prej orës 8 të mëngjesit të sotëm, ku të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike gjatë orëve të ndryshme të ditës së sotme që prej orës 8 për të dhënë votën e tyre në këtë referendum.
Ndërkohë që ashtu siç raportohet dhe nga kryetarë të tjerë të selive të Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, ka qenë një proces i rregullt dhe nuk ka pasur asnjë problematikë.
Pritet që në këto momente dhe në vijim të dalin dhe rezultatet nga të gjitha bashkitë e qarkut të Elbasanit".