Përfundon votimi në Vlorë, Himarë dhe Selenicë/ Gazetari: Interes i lartë për rikonfirmimin e Sali Berishës

Korespondenti i SYRI TV, Gentjan Kellçiu, raportoi për moderatorin Arnold Karriqi se procesi i votimit për referendumin e rikonfirmimit të Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike është mbyllur në Vlorë, Himarë dhe Selenicë.

Sipas tij, menjëherë pas përfundimit të votimit është hapur edhe kutia, ndërsa pritet të nisë procesi i numërimit të votave.

Kellçiu bëri me dije se procesi kishte nisur në orën 08:00 dhe u shty deri në orën 19:00, ndonëse orari zyrtar i mbylljes ishte ora 18:00. Sipas raportimit, shtyrja u bë për shkak të interesit të lartë të anëtarëve të degës së Partisë Demokratike në Vlorë për të marrë pjesë në votim dhe për të zgjedhur Sali Berishën në krye të PD-së për një mandat të ri.

Raportimi në studio: 

Karriqi: Në këto momente është Gentian Këllçiu i cili ndodhet brenda qendrës së votimit. Genti të përshëndes, është mbyllur tashmë zyrtarisht edhe në Vlorë?

Gentjan Këllçiu: Po, tashmë është mbyllur procesi i votimit dhe në qytetin e Vlorës. Gjithashtu dhe në Himarë, dhe në Selenicë. Ndërkohë është hapur dhe kutia e votimit dhe për pak minuta do të pritet të nisi dhe procesi i numërimit të votave. Një proces që nisi në orën 08:00 të mëngjesit dhe përfundoi në orën 19:00. Pra, kur orari zyrtar ishte deri në orën 18:00, por për shkak të interesit të lartë të anëtarëve të Partisë Demokratike dega Vlorë për të votuar, për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike doktor Sali Berisha për një mandat... pra interesi sot në Vlorë ka qenë goxha i lartë për të votuar. Në këto momente po presim. Pra do të presim edhe pak minuta sa të bëhen gati për të nisur procesin e numërimit.

Karriqi: E kuptoj Genti, të falënderoj për ndërhyrjen. Sigurisht do të jemi pas pak edhe me përfundimin e numërimit për të patur rezultatin përfundimtar. Do të mbyllen të gjitha dhe do të duhet kohë sigurisht komisionit për shkak edhe të të gjithë qarkut të Vlorës, të degës, dhe do të presim. Të faleminderit Genti.