VIDEO/ Kaso sqaron pse u shty orari i votimit: Komunikim intensiv me degët, fluks në disa prej tyre
Gjatë një interviste me gazetarin Klajdi Bodlli në SYRI TV, anëtari i KOKOE Ivi Kaso, bëri të ditur se vendimi për shtyrjen e orarit të votimit erdhi pas një komunikimi intensiv me degët në të gjithë vendin, veçanërisht në minutat e fundit para përfundimit të orarit fillestar të votimit, që ishte ora 18:00.
Ai sqaroi se pas mbylljes së votimit, KOKOE do të bëjë një komunikim me të gjitha degët për të konfirmuar pjesëmarrjen dhe për të nisur përgatitjet për përpunimin e rezultateve.
Sipas KOKOE, procesi i numërimit do të zhvillohet në degë pas mbylljes së votimit dhe më pas do të raportohen në selinë qendrore. Rezultatet paraprake pritet të fillojnë të dalin rreth orës 20:30-21:00, ndërsa rezultati përfundimtar do të konfirmohet të nesërmen, pas dorëzimit të materialeve zgjedhore nga të gjitha qendrat e votimit.
Intervista e plotë e Ivi Kasos:
Klajdi Bodlli: Pranë meje kam zotin Ivi Kaso, si një nga përfaqësuesit e komisionit, i cili ka përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike, për të pyetur dhe për të marrë, le të themi, detaje mbi zhvillimin e këtij procesi. Zoti Kaso, para pak minutash lajmëruat shtyrjen e orarit për disa prej degëve të Partisë Demokratike. Kureshtja është: përveç degës 2 që është në selinë e Partisë Demokratike dhe është një degë e madhe, ky udhëzim për cilat degë të tjera është i vlefshëm dhe, ëë, për cilat degë kanë bërë kërkesë për shtyrjen e orarit?
Ivi Kaso: Atëherë, ka patur një komunikim intensiv, veçanërisht në minutat e fundit të përfundimit të orarit të votimit të përcaktuar me vendim të KOKOE-s, që ishte ora 18:00 për të gjitha degët, 77 degët në Republikën e Shqipërisë, kanë kërkuar, për shkak të fluksit, një pjesë të fluksit të votimit në minutat e fundit dhe një pjesë të fluksit të pritshëm edhe përtej orës 18:00, veçanërisht këto degët e mëdha të Tiranës, si dega 2 që voton në seli, dega 5, dega 9, dhe ka patur komunikim edhe me një pjesë të degëve, veçanërisht ato qendër qarku, të cilat një pjesë kishin marrë iniciativën vetë në zbatim edhe të tagrit të tyre që t’i mbajnë hapur qendrat e votimit për sa kohë ka radhë përjashta të njerëzve. Për shembull, dega e Beratit ishte e para që kërkoi, pra dega qendër qarku e Beratit, ashtu dhe degë të tjera në veri dhe në jug, dhe për këtë arsye është marrë vendimi nga ana e KOKOE-s që ky proces për të gjitha degët që e kanë kërkuar, që kanë parashikuar fluks, të vazhdojë deri në orën 19:00. Ndërkohë që për degët të cilat e kanë përfunduar procesin e tyre të votimit ose të paktën nuk kanë pritshmëri që anëtarë të tjerë të vijnë të votojnë në këto momente, procesi përfundon rregullisht në orën 18:00. Sigurisht në orën 18:00 KOKOE do të bëjë edhe një komunikim me të gjithë degët, me të 77 degët, në mënyrë që për degët të cilat është mbyllur procesi, të konfirmojë numrin e pjesëmarrjes, në mënyrë që në një komunikim të ardhshëm të bëjë edhe transparencën e lidhur me numrin e pjesëmarrësve. Dhe për degët të cilat janë në proces votimi ende, të cilat pritet ta konkludojnë brenda orës 19:00, të marrë informacionin e rifreskuar të pjesëmarrjes së tre orëve të fundit, të cilat tradicionalisht janë orët mbyllëse të procesit të votimit, janë orët që kanë më shumë fluks njerëzish edhe më shumë pjesëmarrje.
Klajdi Bodlli: Përtej shtyrjes së orarit, kur pritet të paktën të kemi një rezultat paraprak në parashikimet tuaja, sepse jo domosdoshmërisht është në varësinë e komisionit, por do të shikohet kur të mbyllen qendrat e mëdha të cilat i është shtyrë orari në orën 19:00. Ndërkohë besoj që qendrat e tjera që janë mbyllur në 18:00, sipas qarkullores, do të fillojnë numërimin. A keni ju për shembull një parashikim kur mund të dalin, le të themi, rezultatet e para paraprake?
Ivi Kaso: Atëherë, padashur të japim një orar ekzakt, sepse sigurisht kjo varet nga shumë faktorë. Siç e parashikon edhe udhëzimi i KOKOE-s, ky është një proces i cili konkludohet në degë. Pra, janë degët të cilat, në përfundim të procesit të votimit, mbasi hartojnë edhe procesverbalet përkatëse, ëë, fillojnë procesin e numërimit i cili kërkon kohën e vet në varësi të pjesëmarrjes. Tradicionalisht merr rreth një orë përgjatë këtij procesi, përgjithësisht në degët të cilat e kanë konkluduar. Dhe mbasi hartojnë procesverbalin përfundimtar të tyre, e komunikojnë atë me mjetet e teknologjisë së komunikimit pranë selisë së Partisë Demokratike ku është edhe KOKOE. Sigurisht ky proces do të fillojë më vonë për degët e mëdha, siç thamë, kështu që do të duhet pak më shumë kohë. Ka një pritshmëri, le të themi, që rreth orës 20:30–21:00 të jetë transmetuar rezultati, të ketë përfunduar i gjithë ky proces dhe të jetë transmetuar rezultati në KOKOE i cili do të bëjë agregimin e këtij rezultati dhe do të bëjë transparencë mbi rezultatin paraprak të procesit të ditës së sotme. Sigurisht rezultati, e theksoj edhe një herë, i cili do të komunikohet sot ka për të qenë rezultat paraprak dhe do të konfirmohet zyrtarisht ditën e nesërme në momentin që do të bëhet dorëzimi i të gjitha kutive të votimit nga 88 qendrat e votimit në 77 degë, të cilat kanë funksionuar sot të hapura. Pjesa e tyre më e madhe deri në orën 18:00 dhe pjesa tjetër deri në orën 19:00.
Klajdi Bodlli: Deri në këto momente jemi duke parë edhe shifrat e përditësuara të orës 15:00. Si e vlerësoni ju pjesëmarrjen deri në këto momente, duke qenë se deri në orën 15:00 nuk është një numër i vogël, rreth 30,000. Në analizën tuaj, ishte e pritshme dhe si e vlerësoni?
Ivi Kaso: Është një pjesëmarrje e kënaqshme, një pjesëmarrje masive e demokratëve në të gjithë qendrat e votimit, ëë, e cila është edhe më e madhe sesa pjesëmarrja të cilën kemi evidentuar në këtë orar, duke e krahasuar me procesin e fundit që ka ndodhur, që ka qenë ai i degëve të ndryshme të Republikës së Shqipërisë, i zgjedhjes së kryetarëve të degëve në ato degë në të cilat ka përfunduar procesi. Pra ka patur edhe më shumë masivitet. Kështu që shpresojmë në një rezultat përfundimtar dhe një pjesëmarrje shumë të lartë të demokratëve, të cilëve unë edhe në komunikimin e mëparshëm, por edhe përmes ekranit tuaj, përfitoj nga rasti që t’u bëj thirrje që të shfrytëzojnë minutat e fundit, ose orën e fundit në degët qendër qarku dhe në degët e tjera të mëdha në të cilat procesi është shtyrë deri në orën 19:00, për të ushtruar në mënyrë demokratike të drejtën e tyre të votës.