De Laurentiis refuzon 2 miliardë euro për shitjen e Napolit
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka refuzuar një ofertë marramendëse prej 2 miliardë eurosh për shitjen e klubit italian, duke konfirmuar se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i ish-kampionëve të Serie A.
Sipas raportimeve të “Corriere dello Sport”, oferta është bërë nga një grup investitorësh amerikanë të udhëhequr nga Matt Rizzetta, president i Campobasso dhe njëherazi themelues i fondit privat “Underdog Global Partners”.
Media italiane shkruan se kontaktet mes palëve nuk kanë avancuar drejt një marrëveshjeje konkrete, madje negociatat janë ndërprerë para fazës së verifikimeve financiare, duke e bërë pothuajse të pamundur finalizimin e shitjes së klubit.
De Laurentiis mbetet i vendosur të vazhdojë projektin e tij me Napolin, sidomos në prag të 100-vjetorit të klubit, që do të festohet në vitin 2027.
Presidenti italian e konsideron ende të hapur ciklin sportiv të skuadrës dhe nuk dëshiron të heqë dorë nga drejtimi i saj.
Nga ana tjetër, vetë Rizzetta ka shmangur komentet direkte mbi lajmin.
Sipas “Corriere dello Sport”, ai fillimisht kërkoi kohë për t’u përgjigjur, ndërsa më pas reagimi erdhi përmes zyrës për shtyp të Campobassos, ku u tha se nuk kishte informacion mbi negociata të tilla.
Emri i biznesmenit italo-amerikan është lidhur edhe me një blerje të mundshme të Reggina, megjithatë Campobasso ka konfirmuar zyrtarisht se Rizzetta do të vijojë të mbetet i përkushtuar ndaj projektit aktual të klubit.