Referendumi për kryetarin e PD/ Vokshi: Mbi 28 mijë demokratë votuan deri në orën 15:00
Në një komunikim për mediat, Albana Vokshi theksoi se procesi i votimit në degët e Partisë Demokratike po vijon normalisht dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme. Ajo bëri të ditur se deri në orën 15:00, në 77 degët e Partisë Demokratike kanë votuar 28 mijë e 379 anëtarë.
Vokshi nënvizoi gjithashtu se listat e votuesve janë përditësuar vazhdimisht, duke reflektuar lëvizjet në diasporë dhe anëtarësimet e reja, ndërsa garantoi transparencë të plotë deri në përfundim të procesit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike.
Deklarata e plotë:
Atëherë, KOKOE po jep informacionin e orës tre. Në daljen e fundit ju informuam për pjesëmarrjen midis orës dymbëdhjetë e gjysmë, një.
Nga kontaktet që kemi pasur me të gjitha degët, po ju informojmë që pjesëmarrja deri në orën pesëmbëdhjetë në shtatëdhjetë e shtatë degët e Partisë Demokratike rezulton që të jetë njëzet e tetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e nëntë votues.
Me të mbaruar procesi i votimit, neve do t'ju japim të gjitha sqarimet për numrin e votuesve të Partisë Demokratike që kanë të drejtë vote dhe janë ftuar sot. Kjo do të thotë që janë punuar listat, janë pastruar listat, një pjesë janë larguar në diasporë. Por do t'ju japim të gjitha detajet e nevojshme.
Pra, jemi transparentë deri në fund, nuk kemi dhënë një numër siç është sot, nesër mund të rritet ai numër sepse ka anëtarësime të reja. Mund të zvogëlohet sepse ikën nga diaspora.
Pra, është 'work in progress', por sot është ky numri i cili është ftuar për të votuar për referendumin, për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike. Faleminderit