Referendumi/ ‘Shkodra, model qytetarie’, Shkreli: Hap jetik që do të bashkojë demokratët!
Shkodra është kthyer sërish në qendër të vëmendjes politike këtë të diel, teksa anëtarësia e Partisë Demokratike i është drejtuar kutive të votimit për referendumin e brendshëm për votëbesimin e kryetarit të partisë.
Procesi, i cili ka nisur që në orën 08:00 të mëngjesit, ka shënuar një interes të lartë, duke detyruar strukturat lokale të hapin një qendër shtesë votimi në njësinë administrative Bërdicë, me qëllim për t'u ardhur në ndihmë banorëve të zonës së Nënshkodrës.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve të mesditës në Syri Tv, ish kryetarja e degës së PD Shkodër, Eliona Shkreli tha se procesi po vlerësohet si një model i qytetarisë shkodrane dhe si një hap jetik që pritet të bashkojë demokratët përpara betejave të rëndësishme politike.
Synimi kryesor i këtij riorganizimi të brendshëm, theksoi Shkreli, është rikthimi i Bashkisë së Shkodrës te qytetarët.
Në fakt sot sikurse përherë në fakt në zgjedhje apo referendume të tilla, Shkodra edhe sot ka treguar qytetarinë dhe kulturën e saj. Ka qenë një proces që unë do ta quaja shumë model dhe demokratik. Procesi ka filluar që në orën 8:00 të mëngjesit në dy qendrat e votimit këtu në selinë e Partisë Demokratike të Shkodrës, por për shkak të interesit të lartë të anëtarëve për t'u bërë pjesë e referendumit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, për t'i ardhur në ndihmë sidomos zonës së Nënshkodrës, Partia Demokratike e Shkodrës ka vendosur një tjetër qendër votimi në njësinë administrative Bërdicë. Dhe pjesëmarrja në fakt ka qenë e konsiderueshme. Unë në këto momente nuk mund të flas për shifra të sakta, duke qenë se janë tre qendra votimi, por ka patur shumë lëvizje, interes nga ana e anëtarëve të Partisë Demokratike, jo vetëm këtu në seli në Shkodër, por edhe në Bërdicë, në njësinë administrative Bërdicë, nga komunikimet që kemi patur.
Ne shpresojmë që brenda orës 18:00 të përmbyllet krejtësisht, që është edhe orari zyrtar i mbylljes, kështu që unë në fakt do të shfrytëzoja rastin për të falënderuar të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike që janë bërë pjesë e këtij procesi shumë të rëndësishëm, politik, të brendshëm të Partisë Demokratike. Do t'i falënderoja shumë për qytetarinë dhe për modelin fantastik që kanë treguar në ditët e sotme, siç, në ditën e sotme sikurse në fakt e kanë treguar siç thashë edhe pak më përpara në të gjitha proceset zgjedhore që ka patur Partia Demokratike. Është një proces në fakt që është shumë i rëndësishëm. Është një proces ku unë besoj se... kam bindjen e plotë në fakt që do bëjë të gjithë demokratët bashkë, sepse tashmë Partia Demokratike pas përfundimit të këtij referendumi dhe zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ka kauza shumë të rëndësishme përpara. Sigurisht që janë zgjedhjet lokale dhe unë dua të flas për Shkodrën.
Shkodra duhet t'i kthehet qytetarit, duhet t'i kthehet bindjes së saj, sepse Shkodra ka qenë, është dhe do të mbetet bastioni i Partisë Demokratike. Por pa diskutim, edhe kauza që Partia Demokratike e ka patur gjatë gjithë kësaj kohe dhe nga protestat që ka realizuar... qeveria teknike dhe zgjedhjet e parakohshme. Kështu që unë kam bindjen e plotë se ky proces do të bashkojë edhe më tej demokratët, gjithmonë në fitim të kauzave të Partisë Demokratike sepse në fakt Shqipëria tashmë është e lodhur nga skandalet e qeverisë Rama dhe ka nevojë për një qeveri të mirë dhe ka nevojë për një qeveri demokratike, të lirë që sjell prosperitet dhe shpresë për vendin. Varet gjithçka edhe nga procesi. Duke patur parasysh se kemi edhe një qendër votimi po themi në njësinë administrative, pastaj edhe në varësi të votave që do të numërohen, pra numrit total. Por unë shpresoj se do të kemi shpejt pas mbylljes së qendrave të votimit, do të kemi rezultatin përfundimtar.