Referendumi si akt i lartë politik, mobilizimi dhe optimizmi të fortë opozitar!

Nga Petrit Vasili/

Referendumi për zgjedhjen e Berishës ka një kuptim themelor shumë të rëndësishëm për momentumin kritik që po përjeton Shqipëria dhe përgjegjësinë politike opozitare për vendin.

Kjo nënkupton një mobilizim kapilar të strukturës organizative opozitare, si dhe një testim politik për gatishmërinë e përballjes me narkoregjimin e Ramës.

Duke zgjidhur problemin e përfaqësimit në këtë referendum, përmes Berishës si simbol i opozitarizmit pa asnjë kompromis, rrezatimi i referendumit merr kuptimin e një opozite që i shfaqet opinionit më e mobilizuar se kurrë, e gatshme për sakrifica, pa komplekse dhe që kërkon e merr mbështetjen e tij.

Zhytja e qeverisë në batakun e kriminalizimit korruptiv të çdo trajte e lloji kërkon një dimension gjithmonë e më të rritur të opozitarizmit, që referendumi e tregon përmes kumtimit të një ngjarjeje politike me rëndësi kombëtare.

Është vërtet kaq qesharake të shikosh bandën e mediave dhe analistëve rilindas, që komentojnë dhe stigmatizojnë referendumin, ndërkohë që pagatori i tyre, Rama, ka asgjësuar fjalën zgjedhje dhe rikonfirmim përmes votës, duke ndërtuar një statut haxhiqamilist për partinë e tij, ku ai, në kufijtë e idiotësisë, qëndron në krye të PS si Kim Jong-un i Koresë.

Shqetësimi rilindas për referendumin është i kuptueshëm, sepse pjesëmarrja në nivel kombëtar, idealizmi i tij dhe motivimi masiv opozitar përbëjnë një problem të fortë për një pushtet që po ha veten dhe ku intrigat brenda llojit janë kaq të egra, sepse kanë të bëjnë me moton: kush të vjedhë e të grabisë më shumë.

Ndaj referendumi është një transfuzion optimizmi, mobilizimi dhe shprese për të gjithë shqiptarët dhe konfirmimi i Berishës është vulosja e faktit se koha e shitjes së opozitës ka mbaruar një herë e mirë, ndërsa koha e betejave ballore të opozitarëve të vërtetë me narkoregjimin do të jetë akoma më e ndezur se më parë.