EMRAT/ Arrestohen në Shqipëri dy të kërkuar nga Italia për drogë dhe plagosje, pritet ekstradimi
Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të operacioneve të koduara “Operacionalja 94” dhe “The Wanted”.
Në Kavajë u arrestua Saimir Dakoli, 48 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Apelit e Venecias me 7 vjet e 4 muaj burg për trafik droge. Sipas policisë, Dakolit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vjet, 4 muaj e 20 ditë burgim.
Ndërkohë, në Durrës u vu në pranga Elton Stafa, i njohur edhe me disa identitete të tjera si Elton Zani, Seit Stafa, Sadik Dervishi, Vladi Ymeri dhe Hasan Ymeri. 47-vjeçari, banues në Shijak, ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Milano me 5 vjet e 7 muaj burg për plagosje të rëndë me dashje, mbajtje të sendeve të vjedhura dhe armëmbajtje pa leje.
Operacioni për kapjen e tij u zhvillua nga Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Policia bën me dije se Interpol Tirana dhe Interpol Roma po vijojnë bashkëpunimin për përfundimin e procedurave të ekstradimit të dy të arrestuarve drejt Italisë.