‘Po i afrojmë pulat te dhelpra’/ Qytetari në Dibër: Reforma territoriale largoi shërbimet dhe zbrazi fshatrat

Gjatë një takimi në Dibër për reformën territoriale, një qytetar ngriti shqetësimin se zmadhimi i bashkive ka larguar shërbimet nga komunitetet dhe ka përshpejtuar shpopullimin e zonave rurale. Sipas tij, taksat e qytetarëve përfundojnë në “arkën e madhe” të bashkive, por kur vjen puna te kthimi i tyre në shërbime konkrete për njerëzit, mungon barazia dhe mbështetja për zonat periferike.

Në fjalën e tij, ai solli si shembull Bulqizën, duke theksuar se shumë fshatra po boshatisen masivisht dhe disa po shkojnë drejt zhdukjes. Qytetari kritikoi centralizimin e pushtetit vendor, duke argumentuar se reforma territoriale i ka afruar bashkitë me qeverinë qendrore dhe i ka larguar nga qytetarët, ndërsa kërkoi një riorganizim të ri administrativ që, sipas tij, do t’i kthente shërbimet më pranë komuniteteve.

Qytetari: Mendoj dhe gjykoj që paguhen më shumë taksa, por se duke u zmadhuar bashkia, këto taksa humben tek arka e madhe dhe kur vjen puna t'i kthehen në shërbime qytetarit, këtu pastaj nuk ka barazi. Detyrimisht, hedhja e taksave në një arkë të madhe ku kryetari i bashkisë pastaj nuk ka në fokus qytetarët, sepse po të shkojmë tek parimet e kartës së autonomisë vendore, parimi bazë është parimi i subsidiaritetit. Që do të thotë t'i afrojmë bukën qytetarit, jo ta marrim qytetarin ta çojmë tek buka. T'i çojmë rrugën tek qytetari, mos të çojmë qytetarët tek rruga. Pra, tendenca ishte me statistika që e gjithë Shqipëria i është vërsulur Tiranës apo dhe qyteteve të mëdhaja. Çfarë mund të bëjmë që me një reformë territoriale të bëjmë të kundërtën, pra të parandalojmë këtë hemorragji të shpopullimit, qoftë drejt Tiranës, qoftë përtej kufijve të Shqipërisë. Pra mundemi të bëjmë këtë që qeverisjen t'ia çojmë te qytetari. Më pastaj, si rezultat flasim për Bashkinë Bulqizë.

Flasim për Bashkinë Bulqizë pra. Në Bashkinë Bulqizë, përkundër statistikave që përmendi i punësuari i bashkisë, pra ka një shpopullim masiv. Ka shpopullim prej më shumë se një të tretës së popullatës në përgjithësi, ka fshatra të shpopulluara me dy të tretat, siç është Mazhica, Gjurasi, Tërnova e Madhe, e Vogël, Lejçani, fshatrat e Ostrenit, fshatrat e Zerqanit me radhë. Ka fshatra që shkojnë edhe drejt shfarosjes. Pra po shfarosen disa fshatra të Bashkisë Bulqizë. Po të kthehemi në një reformë tjetër, nëse Bashkinë Bulqizë e shohim diku tek... pra Bashkia e Gollobordës siç ka dhe traditën, gjuhën e të tjerë. Një bashki që mund të jetë Shupenza që mund të marri dhe Gjoricën, apo një bashki mikse që përfshin Fushë-Gropën e parë të lumit Drin, që është Fushë-Gropa pra, të lutem Astrit se të dëgjuam... Astrit të dëgjuam tani... pra Fushë-Gropa Maqellarë, Shupenzë dhe Gjoricë. Pra kjo do të ishte një bashki funksionale. Që mund të ishte një bashki funksionale sërish, pra Kastrioti si vendlindja e Skënderbeut dhe do të përfshinte pra, Peshkopi e deri në kufi me Bashkinë Kukës dhe do të kishim bashki funksionale. Parimi është ky: nëse bashkitë i zmadhojmë, ia ofrojmë më afër qeverisë. I largojmë nga autonomia, i largojmë nga demokracia vendore, e largojmë shërbimin nga qytetarët, dhe ndërkohë nëse ne ia ofrojmë afër qeverisë, qeveria do t'i gllabërojë. Po i afrove pulat afër dhelprës, dhelpra dihet, i ha pulat. Dhe një tregues që kjo reformë nuk funksionoi...

Një minutë... është që pra, nëse ia ofrojmë afër qeverisë, del kryeministri, me një urdhër janë tërhequr të gjithë drejtorët e administratës dhe administratorët. Pra që do të thotë, bëhet segment i qeverisë. Nëse ti zmadhon, ia ofron afër qeverisë. E kundërta e kësaj është një reformë tjetër. Faleminderit! Faleminderit të gjithëve!