Zelenskyy: Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të intensifikohen

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar ditën e sotme se përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë duhet të rigjallërohen, ndërsa shtoi se priste propozime të reja nga SHBA-ja se si do të zhvillohet kjo diplomaci. Ai tha se situata në vijën e frontit ishte e favorshme për Ukrainën. Mediat shkruajnë se ai i bëri këto komente, pasi zhvilloi bisedime në një takim virtual me udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.

"Tani për tani duhet bërë gjithçka për të intensifikuar diplomacinë. Gjithashtu pres një përgjigje nga pala amerikane në lidhje me formatet e mundshme dhe orarin e takimeve," tha Zelenskyy.

Zelenskyy tha se kishte informuar presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz për zhvillimet në vijën e parë të frontit. Presidenti tha se Ukraina kishte rivendosur kontrollin mbi 590 km katrorë të territorit të pushtuar që nga fillimi i vitit.