SYRI TV/ Berisha: Libri i Andi Mustafajt, manifest jashtëzakonisht i duhur në kushtet e diktaturës autokratike

“Jemi në diktaturë autoritare”, ky ishte mesazhi që lideri i opozitës, Sali Berisha, i drejtoi demokratëve gjatë prezantimit të librit “Luleborë” të Andi Mustafajt. Në fjalën e tij, Berisha tha se libri i ish-drejtuesit të Brain Gain në PD vjen si një manifest politik në kohë të vështira për vendin. Teksa u kërkoi demokratëve dhe qytetarëve të lexojnë këtë vepër, Berisha theksoi se qëndresa do të krijojë kushtet për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës.

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në promovimin e librit “Luleborë”, me autor ish-drejtuesin e departamentit Brain Gain në Partinë Demokratike, Andi Mustafaj. Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi librin “Luleborë” si një manifest politik shumë të rëndësishëm për kohën që po kalon vendi, në kushtet e diktaturës autokratike.

Duke vlerësuar librin për analizën që i bën realitetit, Berisha u shpreh se sot vendi po kalon momente të vështira, pasi pjesë e të këqes janë bërë edhe mjetet e propagandës proqeveritare për të mashtruar qytetarët.

Lideri demokrat shtoi se opozita është në kushte të tilla që 90% e mediave i ka kundër, por deklaroi se qëndresa e demokratëve do të sjellë fundin e regjimit të Edi Ramës.

Në fjalën e tij, Mustafaj foli për rëndësinë e lidhjes mes brezave, duke kundërshtuar frymën e konfliktit që, sipas tij, nxitet nga propaganda politike. Ai tha se të rinjtë nuk duhet të mohojnë të kaluarën për t’u dukur “të rinj” apo “të paprekur”, por të ndërtojnë mbi traditën dhe përvojën.